Arbëri

OEAK: Kosova të rrisë investimet në sektorin kibernetik dhe mbrojtjen e të dhënave

OEAK: Kosova të rrisë investimet në sektorin kibernetik dhe mbrojtjen e të dhënave

Rreziqet kibernetike ndikojnë në mundësitë për të operuar, reputacionin dhe madje edhe vetë ekzistencën e bizneseve. Sektori privat duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë hartimit dhe përmbushjes së praktikave për siguri kibernetike, ruajtjes së të dhënave të klientëve, pronës intelektuale, si dhe infrastrukturës kritike. Këto, ndër të tjera, u thanë gjatë një punëtorie të organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutua mbi mbrojtjen e të dhënave, shitësit e besueshëm, sigurinë kibernetike dhe privatësinë e informacionit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Valerie Tucker, zyrtare për ekonomi në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, njëherësh edhe moderatore e punëtorisë, tha se me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për Rrjetin 5G në mes të Kosovës dhe SHBA-së, Kosova ka marrë një hap shumë të rëndësishëm drejt ruajtjes së sigurisë kombëtare, të drejtave të njeriut, pronës intelektuale dhe të dhënave personale, sot dhe në të ardhmen.