1 perditesime
10:24

Bajrami: Jemi në negociata me Bankën Botërore për sigurimin e vaksinës anti-COVID

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se janë duke biseduar me Bankën Botërore për të siguruar vaksinën anti-COVID sapo ajo të jetë në dispozicion.

Në një konferencë për media ka bërë të ditur se deri më tash, që nga fillimi i pandemisë, janë ekzekutuar 245 milionë euro.

“Kemi bërë përpjekje maksimale që t’u dalim në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Nevojat kanë qenë më të mëdha dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Deri tani janë ekzekutuar 245 milionë euro. Prej atij fondi prej 365 milionë eurosh presim vetëm Ligji të kalojë në mënyrë që të mobilizojmë edhe 100 milionëshin tjetër”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se janë afër që të hyjnë në dy programe të FMN-së.

“Është kohë sfiduese për të bërë parashikime të sakta. Ministria e Financave kemi punuar gjatë dhe jemi afër të hyjmë në programin e FMN-së. Një program dy vjeçar i cili do të adresojë dy sfida kryesore për Qeverinë e Kosovës që janë: Reforma substanciale në skemat pensionale të Kosovës dhe gjithashtu strategjia për menaxhimin e borxhit publik, meqenëse këtë kohë kemi qenë të detyruar të marrim hua duhet ta kemi një strategji të qartë që të menaxhohet dhe të mos bëhet barrë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ajo. “Kjo marrëveshje do të na shërbejë për financim, mbështetje buxhetore prej 165 milionë eurove”.

Tutje ajo ka shtuar se njëkohësisht janë duke punuar edhe me një program me Bankën Botërore, dhe janë zotuar si Qeveri që të ndërmarrin disa reforma sa i përket energjisë së ripërtërishme, liberalizimit të tregut të energjisë, reforma në ambientin e biznesit, zvogëlimin e barrës administrative dhe kjo gjithashtu parasheh një mbështetje buxhetore për Qeverinë e Kosovës në shumë prej 40 milionë euro.

“Shpenzimet për vitin 2021 do të jenë 2 miliardë e 412 milionë euro, shpenzimet për paga do të jenë 625 milionë euro, mallra dhe shërbime do të kemi po aq sa kemi pasur në vitin 2019, investimet kapitale do të jenë në shumën prej 613 milionë euro, subvencione dhe transfere do të jenë 643 milionë euro dhe me të gjitha këto deficiti buxhetor gjatë vitit 2021 pritet të jetë në 4.2 për qind. Sipas të gjitha parashikimeve që i kemi pandemia do e tkurrë ekonominë e vendit për 6.7 për qind”, ka thënë Bajrami.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se janë në negociata për sigurimin e vaksinës anti-COVID.

“Si Ministri e Financave jemi në negociata intensive me Bankën Botërore në mënyrë që të hyjmë gjithashtu në një projekt të sigurimit dhe financimit të vaksinës anti-Covid, dhe kjo na bën të sigurt se ne do të jemi ndër vendet e para në fakt që sapo të dalë vaksina të arrijë. Do të thotë kur ata të furnizohen në mesin e shumë vendeve të tjera do të jetë edhe Kosova. Këto janë parashikimet tona duke u bazuar në situatën aktuale”, ka thënë Bajrami.

10:08

Hoti: Me buxhetin e vitit 2021 nuk preket sektori publik

Kryeministri Avdullah Hoti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ku u votua projektbuxheti për vitin 2021, u shpreh i kënaqur me të pasi që sipas tij e kthen ekonominë në gjendje më të mirë se në vitin 2019, kur ka qenë vit i zakonshëm i zhvillimeve ekonomike.

“Është dakordu ky buxhet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe kjo është shumë e rëndësishme për qëndrueshmërinë e buxhetit. Shpenzimet janë dukshëm më të larta se kanë qenë në 2019 dhe arrijnë në një vit në 2.4 miliardë euro. Nuk preket sektori publik, sepse dje ka qarkulluar një informacion i pasaktë, e keqinterpretuar, mirëmbahen të gjitha shpenzimet dhe numri i të punësuarve në sektorin publik, rriten shpenzimet kapitale në krahasim me 2019. Me këto balance, mund t’iu dalim ballë obligimeve buxhetore që kemi dhe shpenzimeve nëpër sektorë të ndryshëm", tha ai.

Ai tha se janë adresuar dy çëshje me rëndësi, sa i përket rekrutëve të rinj në FSK dhe specializantëve në MSH.

Hoti ka treguar se janë marrë vendime edhe shtesat e zjarrfikësve dhe për komunitetin kulturor, artistik e sportiv.

“Sot i kemi adresu çështjen e shtesave për zjarrfikësit, buxheti është nda dhe shkon nëpër komunat përkatëse. E dyta, kemi përcaktu kriteret për ndarjen e 5 milionë euro për komunitetin kulturor artistik dhe sportiv përmes MKRS-së, ministria shpejt nxjerr shpalljet dhe do shpërndahet kjo shumë si pjesë e pakos së rimëkëmbjes”, tha ai.

Teksa tha se muaji nëntor është shpallur muaj i Anton Çetës si dhe se janë ndarë mjete për fushën e ndërmarrësisë.

“Një vendim i rëndësishëm është shpallja e muajit nëntor, muaji i Anton Çetës, me një sërë aktivitetesh nga MKRS-ja. Gjithashtu pjesë të rimëkëmbjes ekonomike kemi miratu edhe kriteret për ndarjen e mjeteve për fushën e ndërmarrësisë dhe dakordimin dje që e kemi arritë për shtesat për personelin shëndetësor”, ka thënë ai.