4 perditesime
00:03

Balaj: Javën tjetër do të ketë grevë nëse nuk zhbllokohen llogaritë e Telekomit

Lamih Balaj ka paralajmëruar se nëse nuk do të zhbllokohen llogaritë e Telekomit, përveç protestave para Qeverisë, sindikata do të mbajë edhe greva brenda dhe jashtë objekteve, e që sipas tij kjo do të ketë pasoja.

"Këshilli i Grevave kanë vendosë që të mos shkojnë më në protestë para Qeverisë, nëse shkohet me protestë do të ndryshojë kahje, nuk e di kah do të shkojmë. Nuk përjashtohen grevat brenda dhe jashtë objekteve, por nëse merren këta hapa nga sindikata nuk do të jetë mirë as për ata që na lënë pa paga, nuk do jetë mirë për askënd, as ministrisë e qeverisë", tha ai në Interaktiv.

Balaj thotë se prokuroria duhet të hetojë të gjitha rastet në Telekom, teksa ka shtuar se Qeveria e ka vështirësuar gjendjen me Telekomin, sipas tij, me deklaratat se ndërmarrja po falimenton.

"Qeveria na ka sjellë në atë gjendje sa janë dalë kanë thënë se po falimenton Telekomi. Këtu duhet me u fut prokuroria, nëse ka prokurori nuk duhet t'i besohet as qeverive që kanë qenë e as ministrave të kaluar. Duhet me hetu dhe të dihet pse thotë që po du me të falimentuar. Aq hajni të mëdha janë bë në Telekom, e dijmë që janë bë hajni aty, zbardhi", tha ai.

 

00:00

Balaj: Do të padisim kryesuesin e Bordit të drejtorëve të Telekomit

Lamih Balaj, nga Sindikata e Telekomit, ka paralajmëruar padi ndaj kryetarit të Bordit të përkohshëm të Telekomit.

Ai ka pasur kritika të shumta ndaj kryetarit të Bordit, duke thënë që s’ka arritur ta kryejë asnjë punë.

“Kryetari i Bordit është njeriu më profesional që ka mundur me ardhë më i dobëti që ka mundur ta ketë kompania, një njeri që s'ka kryer asnjë punë, një njeri që s'ka mundur ta arrijë një marrëveshje, një person i cili është munduar ta marrë dhe ia ka marrë kompetencat edhe kryeshefit ekzekutiv jashtëligjshëm. Ministria e ka dërguar atë, unë nuk e kam dërguar, dhe as nuk ka arritë marrëveshje (me Z-Mobile). Sot jemi pa mjete në xhirollogari, jemi me xhirollogari të bllokuara dhe as s'kemi marrëveshje dhe asnjë punë nuk e kanë kryer”, ka thënë Balaj.

Sipas Balajt, kreu i Bordit ia ka marrë kryeshefit ekzekutiv kompetencat, gjë për të cilën thotë se është e kundërligjshme.

“Çdo vendim i tij që merret në Telekom është i jashtëligjshëm. Unë bashkë me kryesinë i kemi angazhuar avokatët tanë jemi në kontakt edhe me avokatë ndërkombëtarë në Sindikatën Evropiane ku jemi partnerë. Dhe besoj se shumë shpejt ndoshta do ta bëjmë edhe një padi ndaj kryetarit të Bordit dhe Ministrisë që nuk e ka zgjedhur një bord të rregullt po akoma jemi duke operuar me një bord të cilit i ka skaduar mandati gjashtë mujor”, ka thënë Balaj.

23:57

Balaj: Qeveria e Kosovës është fajtore për gjendjen në Telekom

Kryesindikalisti i Telekomit, Lamih Balaj, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Qeveria e Kosovës është fajtore për gjendjen në Telekom.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të mbajë përgjegjësi dhe ta vrajë ndërgjegja për këtë që po ndodh në Telekom.

“Po e them për herë të parë në këtë studion, e ndjejë për obligim të them, se fajtore kryesore dhe që duhet të mbajë përgjegjësi e ta vrajë ndërgjegja, është Qeveria e Republikës së Kosovës. Po e them se me ndërrimin e Bordit, me ardhjen e Bordit të ri jemi ulur e kemi diskutuar me ta për gjitha çështjet se çka ko me ndodh në Telekom. Ata kanë premtuar se jemi ardhur decidiv me zgjidh problemin me Z-Mobilen. Ka me marrë shteti përgjegjësi, ne si Bord i përkohshëm kanë thënë se jemi vetëm për të arritur një marrëveshje me vendim të Qeverisë që të mos bllokohen xhirollogaritë, sepse ata kanë ardhur në kohën e bllokimit të xhirollogarive”, ka treguar Balaj.

Ai ka thënë se bordet nuk e kanë kryer punën e vet.

“Ne i kemi përkrahur dhe iu kemi dhënë përkrahje maksimale, bile në atë kohë kryetar i bordit që tashmë është kryetar që i ka skaduar mandati, ishte njëfarë Mehmet Berisha. Ai ka qenë decidiv persoi që ka thënë se unë ko me nxjerrë Telekomin nga kriza. Por ne i kemi ngrirë marrëveshjet me Bordin. Pasi ata nuk e kanë kryer punën e vet, e ju ka kaluar mandati. Bile në atë kohë akuzonin njerëzit e Telekomit se ju i keni lënë qëllimisht paratë në xhirollogari, s’keni qenë fleksibil e ju kanë bllokuar xhirollogaritë. Deri këtu ka shkuar në Telekom gjendja me njerëz të Qeverisë, sepse ai përfaqëson Qeverinë. Bash kisha pas qejf me ditë mendimin e tij a ka qenë fleksibili a qysh e zuri edhe atë gadfil që na bllokun xhirollogariutë e na morën mjetet. Pse po e them Qeveria, sepse bordet kanë qenë qe dhjetë vjet e këndej, nuk po them se s’ka pas në mesin e tyre profesional, por ja kanë mujt me vota ata që kanë ardhur me ju kry punë dikujt tjetër”, ka thënë Balaj.

23:51

Balaj: Qeveria ka thënë se do të gjejë zgjidhje që deri nesër të zhbllokohen llogaritë e Telekomit

Lamih Balaj nga Sindikata e Telekomit ka thënë se deri nesër Qeveria duhet t’i japë zgjidhje çështjes së Telekomit dhe se pret që të premten të zhbllokohen llogaritë.

Balaj në Interaktiv tha se pas takimit me kryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë ku u kërkoi zhbllokimin e llogarive, sot ka pasur një kontakt tjetër prej së cilës ai shprehet se nesër do të kthehen ato.

“Sot prapë kam kontaktu me zyrën e kryeministrit dhe i është dërgu prapë një shkresë pronarëve të ish-Z-Mobile, ku qeveria është garantues. Besoj që shteti seriozisht e ka marrë punën e Telekomit dhe ish dashtë që nesër t'i kthejë xhirollogaritë e Telekomit dhe mos me leju me ndodhë më ndodhë më e keqja, me u tërheqë mjetet nga xhirollogaria sepse pos operimeve që mundet me pasë, janë edhe pagat e punëtorëve”, tha ai.

Balaj ka thënë se qeveritarëve u ka bërë të ditur se nëse kthimi i llogarive nuk ndodh, sindikata do të ndërmarr hapa kundërshtues.

 

23:44

Balaj: Telekomi po goditet nga të gjitha anët që të dëmtohet sa më shumë

Lamih Balaj, nga Sindikata e Telekomit, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Telekomi po goditet nga të gjitha anët në mënyrë që të dëmtohet sa më shumë.

Ai ka thënë se ndoshta është një lojë e Z-Mobile që t’ia marrë klientët e Valës, pasi është shumë afër blerjes së Ipkos.

“Unë dhe bashkëpunëtorët e mi ndoshta e dimë pak zanafillën pse janë bllokuar (xhirollogaritë e Telekomit). Tashmë po dihet se Ipko është afër shitjes dhe për ta blerë janë afër pronarët e Z-Mobile dhe ndoshta është një lojë e tyre që të tentohet që të ikin klientë e Valës dhe të kalojnë në Ipko por kjo deri më tani nuk ka ndodhur. Dhe ndoshta është lojë e tyre që sa më shumë të mund të dëmtohet Vala”, ka thënë Balaj. “Nuk ka fakt më i madh sikur kjo. Nëse t’i nuk i beson shtetit dhe dy herë ia bllokon llogaritë dhe nëse dy herë je në një tavolinë duke biseduar me ta edhe herën e parë kam qenë prezent në atë takim të famshëm ku pronari i Z-Mobilet ka thënë se ‘për nja dy orë do iu informojë dhe unë besoj jam i gatshëm i zhbllokuar xhirollogaritë me i kthyer mjetet, por më lejoni të shkoj të bisedoj me aksionarët dhe iu ka kthyer përgjigjen përmes tërheqjeve të mjeteve përmes përmbaruesit’”.

E kështu ka ndodhur edhe herën e dytë, thekson Balaj, i cili thotë se pronari i Z-Mobile kishte thënë se është i gatshëm me nënshkruar marrëveshjen ndërsa të hënën në mëngjes janë bllokuar xhirollogaritë.

“Dhe kjo nuk ka mëdyshje që është duke u goditur Telekomi në të gjitha mënyrat që të dëmtohet edhe sa më shumë”, ka thënë Balaj.