8 perditesime
21:43

Haskuka i gatshëm edhe për një mandat si kryetar komune

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka i cili vjen nga partia Lëvizja Vetëvendosje, pohon se do që të rikandidojë edhe për një mandat të dytë si kryetar komune në këtë qytet.

Ai në DESKU të KTV-së tha se në fillim të vitit të ardhshëm do të vendoset nëse VV-ja do ta paraqesë një kandidat për komunën e Prizrenit, kur atëherë edhe vetë mund të kandidoj.

“Duhet të vendoset në fillim të vitit të ardhshëm, sepse është më mirë në aspektin e përgatitjes. Janë disa mënyra se si duhet të vendoset për kandidatin për kryetar komune dhe pikërisht për disa çështje, me bë qytetin e këmbësorëve dhe biçikletave, me rregullu qytetin, me bë me të vërtet një qytet të gjelbër, mendoj që duhet edhe një mandat”, tha ai.

“Mbetet nga LVV-ja nëse paraqesin kandidat, unë kandidoj, edhe nëse jo nuk është problem”, shton ai.

 

21:36

Haskuka: Me sistemin e ri elektronik nuk ka gjasa për kurdisje të tenderëve

Me sistemin e ri elektronik nuk ka gjasa për kurdisje të tenderëve në komunën e Prizrenit, ka thënë kreu i saj, Mytaher Haskuka.

Ai u është përgjigjur edhe akuzave të PDK-së rreth tenderëve.

“Ata (PDK-ja në Prizren) po mendojnë se po vazhdon sistemi i vjetër edhe ata i kanë pas krejt në kontrollë, dmth prej punëtorëve të administratës deri tek kompanitë të cilat kanë aplikuar, të cilat i kanë kurdisur çmimet”, ka thënë Haskuka. “Unë e vlerësoj çdo punëtor të administratës dhe po mundohemi me të gjithë të punojmë mirë dhe me iu dhënë trajnime, me i ngritë kapacitetet e tyre që të punojnë mirë, dhe në të njëjtën kohë me i vlerësuar ata që punojnë mirë dhe me iu dhënë përparësi”.

Ai shton se kanë bërë analizën e gradave në administratë dhe “paramendoni në Prizren ka qenë vetëm një pozitë udhëheqëse me gratë që kemi pasur. Derisa në Prishtinë janë dikund 37 pozita udhëheqëse”.

Pas kësaj analize, shton Haskuka, ata që është dashtë me i ngritë në grada e kanë bërë dhe dikund rreth 320 shërbyesve civilë iu ka ndryshuar rroga për shkak të rritjes së gradave të tyre për shkak të punëve që i kanë bërë.

“Po kthehemi te akuzat e PDK-së. Në Prizren fitojnë prej Podujevës, Gjilanit, Pejës, Suharekës kompani të cilat japin çmimin më të lirë ose oferta më e mirë. Për shkak të problemeve me OSHP-në çdo projekt që e bëjmë e bëjmë me çmimin më të lirë. Me sistemin e ri elektronik nuk ka gjasa për kurdisje të tenderëve”, ka thënë Haskuka.

21:25

Haskuka: Kam vizionin që ta bëj Prizrenin qytetin më të bukur në Ballkan

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se e ka vizionin për ta bërë Prizrenin qytetin më të bukur në Ballkan.

Ai për DESKUN e KTV-së ka treguar se si janë konstatuar gjitha problemet që ka qyteti gjatë këtyre tri vjetëve të qeverisjes. Kështu që thotë se ka vizionin për ta bërë Prizrenin qytetin më të bukur ndoshta në Ballkan.

“Një gjë tjetër që e kemi bërë, kudo që ka pasur vend, kemi mbjellë dru a fidani, kemi mbjellë fidanë në tri vjetët e fundit për ta bërë më të gjelbër qytetin. Përgjithësi edhe pse mendoj se me standarde të Kosovës, Prizreni, është qytet i gjelbër, ka shumë drunj, jemi munduar t’i mbrojmë të gjithë ata. Kemi zhvilluar dhjetë parqe të reja, janë mini-parqe, por me këto nuk kryhet puna. Duhet një park më i madh. Si thash lidhur edhe me projektet, gjatë këtyre tri viteve kemi konstatuar gjitha problemet që ka qyteti. E kemi vizionin ta bëjmë Prizrenin, ashtu është qyteti më i bukur në Kosovë, por ndoshta ta bëjmë qytetin më të bukur në Ballkan”, ka deklaruar Haskuka.

21:20

Haskuka: Nuk e shkarkova drejtorin e Inspektoratit sepse do të bija në trysninë e sistemit

Kreu i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në emisionin Desku në KTV ka thënë se nuk e kishte shkarkuar drejtorin e Inspektoratit sepse do të binte në trysni të sistemit të kapur.

“Nuk i kam suspenduar, të gjithë kanë dhënë dorëheqje. Drejtorët në qeverisjen time janë akuzuar për shkak se kanë zbatuar ligjin. Drejtori i Inspektoratit dhe pesë zyrtarë janë akuzuar dhe është ngritë aktakuza në bazë të kallëzimeve penale të operatorëve privatë për ndërtime pa leje. Për rrënimin e ndërtimeve pa leje”, ka thënë Haskuka.

Ai ka shtuar se aktakuzën e ka ngrit Prokuroria.

“Në këtë rast edhe drejtori ka ofruar dorëheqjen, unë nuk e kam pranuar sepse nëse pranoj atëherë s'do të mund t'i thosha drejtorit tjetër shko rrëzoja këtë ndërtim të këtij biznesmeni të madh pse e ka pa leje. Atëherë ne me njëfarë aspekti po biem në trysninë e sistemit të kapur, i cili ekziston”, ka thënë ai.

Haskuka ka shtuar se për këto raste madje nuk po mbahen as seancat fillestare.

21:15

Haskuka: Agjencia e Pyjeve u ka dhënë në shfrytëzim njerëzve të PDK-së prona në Suharekë

Mytaher Haskuka thotë se Agjencia e Pyjeve u ka dhënë njerëzve të PDK-së prona të komunës së Prizrenit,  teksa shton se ky problem lidhet edhe me komunën e Suharekës.

Kryetari i Prizrenit ka përmendur projektin për trajtimin e qenve endacak, një projekt që sipas tij nuk mundi të zhvillohej pikërisht për shkak të problemeve pronësore me Suharekën, përmes Agjencisë së Pyjeve.

Ai sqaron se shumica e pronave janë të regjistruara si prona komunale, por njëkohësisht në Suharekë këto prona janë prona të Agjencisë së Pyjeve.

“Qentë endacakë i kemi pasë problem, menjëherë e kemi bë projektin për qendrën për trajtimin e qenve endacakë, kemi filluar ndërtimin dhe në momentin kur kemi fillu ndërtimin, ka ardhë prapë një person i cili me letra kinse e ka marrë prej Agjencisë së Pyjeve atë vend për përdorim. Sipas kadastrit në Prizren, ajo është pronë komunale, por në të njëjtën kohë është e regjistruar edhe në Suharekë si pronë e Agjencisë së Pyjeve, nuk e di kur është bërë bartja kështu e këtyre pronave, por aty kemi edhe probleme të tjera”, tha ai.

Haskuka thotë se Agjencia i ka dhënë politikanëve të PDK-së prona në shfrytëzim, që sipas tij janë njerëz me pozita të larta në këtë parti.

“Këtu është problemi se në kadastrën e Prizrenit, shumica e këtyre pronave duken pronë komunale, ndërsa në kadastrin e Suharekës duken pronë e Agjencisë së Pyjeve dhe kjo i ka dhënë personave të caktuar në shfrytëzim, shumica e këtyre personave janë në politikë dhe janë njerëz shumë të lartë, sidomos në PDK”, shtoi ai.

21:00

Haskuka flet për projektin që do ta largonte trafikun nga qyteti i Prizrenit

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, në DESKUN e KTV-së, ka folur për një projekt që do ta largonte trafikun nga qyteti.

Ai ka thënë se sipas këtij projekti, qytetarët do të lënë veturat në parkingjet nëntokësore jashtë qytetit, e do të vazhdonin në këmbë në brendi të qytetit.

“Lidhur me financimin ne kemi folur, tuneli i parkingut nëntokësor tek shtëpia e bardhë dhe parkingu te Ben Afi e kishin shkarkuar krejt qytetin nga veturat. Kushdo që vjen në Prizren e parkon veturën dhe ecë pesë minuta në këmbë te Shadërvani”, ka thënë Haskuka. “Mendoj se kur hiqen veturat nga qendra, kamionët, atëherë shumica e qytetarëve duhet të përdorin biçikletën apo të ecin në këmbë. Ashtu ashtu një pjesë shumë e madhe e qytetarëve që jetojnë nga Artakolli e deri te lagjet që i kemi afër Shadërvanit preferojnë ecjen ndaj veturës. Nëse e marrim veturën për të dalë nga një lagje që është shumë afër, 5 minuta ecje nga qyteti, hupin shumë më tepër kohë me veturë sesa me ecje”.

Ai ka treguar edhe për ekzistimin e problemeve momentalisht me parkingje brenda zonës historike.

“Momentalisht ekzisto problemi i parkingjeve brenda zonës historike. Brenda zonës historike vetëm ata që kanë garazha mund ta marrin veturën e ta shtinë brenda në garazhë që e kanë. Ky është edhe opsion për pjesën tjetër të qytetit. Është qytet i vjetër, duhet të lihet vetura jashtë qytetit, nuk duhet të kemi luksin t’i bllokojmë trotuaret, por pa i bërë këto projekte nuk po mund të vazhdojmë”, ka thënë Haskuka.

20:37

Haskuka: Në janar do të bëhet hapja e impiantit të ujërave të zeza

Kreu i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në emisionin Desku në KTV ka thënë se në janar do të bëhet hapja e impiantit të ujërave të zeza.

“Impianti i ujërave të zeza tanimë është gati. Prizreni është qyteti i parë në Kosovë që do të ketë impiant të ujërave të zeza, por për shkak të pandemisë kompania spanjolle e cila duhet të trajnojë stafin e Hidroregjionit për me e menaxhuar fabrikën e ujërave të zeza nuk ka ardhë. Është vonuar ky proces dhe tash në janar do të bëjmë hapjen e impiantit të ujërave të zeza”, ka thënë Haskuka.

Tutje Haskuka ka folur edhe për investimet e tjera, përfshirë shëndetësinë.

“Sivjet kemi hapur dy qendra të reja të mjekësisë familjare shumë moderne, me laboratore. Faktikisht tre: në Romaj, Gjonaj dhe Zhur. Vitin e kaluar në fshatin Lubizhdë dy qendra të gjendjes civile”, ka thënë Haskuka.

Ai tutje thotë se investimi shembull ndoshta edhe për rajon është Qendra e vetme për shërbime, ose Qendra për shërbime të integruara që e kemi në administratën komunale ku faktikisht është krijuar një qendër shumë moderne për dhënien të gjitha shërbimeve të komunës.

"Tani të gjitha janë në një vend. 56 sportele me 'zyre mbështetëse'. Tani merret numri për marrjen e shërbimit", thotë ai.

20:33

Haskuka: Për zonat ekonomike të vendeve tjera ka investuar edhe Qeveria, në Prizren vetëm komuna

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se zona ekonomike e Prizrenit për të cilën po punohet tash e një kohë, po përballet me vështirësi për shkak të aspekteve pronësore.

Ai në DESKU të KTV-së ka thënë se në zonat e tjera në qytetet si në Drenas apo Vushtrri, ka investuar edhe qeveria, por sipas tij, në atë të Prizrenit investon vetëm komuna.

“Zonën ekonomike në Prizren paramendohet të jetë zona ekonomike më e madhe në Kosovë me 80 hektarë. Që nga dita e parë kemi caktuar një ekip që do punoj në realizimin e zonës ekonomike. Në shumicën e pjesëve, si në Drenas, Vushtrri, si vendet tjera ka investuar edhe qeveria, në komunën e Prizrenit, investon vetëm komuna, domethënë të gjitha fondet apo infrastruktura është bërë vetëm me buxhetin komunal që e kemi në drejtorinë e zhvillimit ekonomik. Ne jemi duke përfunduar të gjithë aspektin infrastrukturor, por për shkak të aspekteve pronësore, ku 40 hektarë tani janë të komunës, por 40 hektarë janë të Agjencisë së Privatizimit. Aty të gjitha procedurat i kemi përfunduar para dy viteve, jemi dy vite në pritje për transferin e pronës komunës, që ta shpallim zonë ekonomike”, tha ai.

Haskuka ka folur edhe për projekte të tjera, e për të cilat kishte premtuar gjatë zgjedhjeve lokale.

Ai ka përmendur shujtat nëpër shkolla, për të cilat thotë se kanë filluar por se për shkak të ankesave nga operatorët kanë mbetur prapa.

 

20:19

Haskuka: Mendoj se deri në fund të mandatit do t'i realizoj 90 % të premtimeve

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pranuar se mandati i tij në krye ka qenë me shumë sfida, por ai thotë se deri në fund të mandatit në krye të Prizrenit do t’i realizojë 90 për qind të premtimeve që i dha gjatë fushatës elektorale.

“Me siguri shumë sfida. Kam paramenduar se janë probleme të ndryshme të theksuara në komunë. Por vetëm si kryetar mund të shohësh edhe problemet nga brenda edhe aspektin burokratik të punës në Kosovë. Ka shumë pengesa për të bërë punë të mirë, ka shumë probleme që duhet të zgjidhen në bashkëpunim me institucione të ndryshme shtetërore. Shumë gjëra kanë ndryshuar për tri vjet, disa jemi përtej zotimeve, e disa nuk kemi arritur pasi ndoshta kemi qenë naiv paraprakisht kur i kemi dhënë disa premtime. Kemi menduar se gjërat mund të ndryshojnë lehtë, që është problem. Në atë aspekt, si kryetar i komunës nëse e bëjë një vlerësim për këto tre vjet, i shikoj premtimet e dhëna dhe sa do t’i arrijë deri në fund të mandatit. Mendoj diku 90 për qind të premtimeve do t’i arrijë t’i plotësojë. Normal janë edhe pritjet që dalin nga kërkesat e qytetarëve gjatë mandatit e kështu me radhë. Gjithmonë duhet pasur parasysh se me të vërtetë disa gjëra duken si në librat e Kafkës, si Procesi”, tha Haskuka për DESKUN në KTV.