Arbëri

Arrestimi i policëve në veri, shpallen të papranueshme provat për 14 nga 33 të akuzuarit

Hetimi 1-vjeçar përmes masave të fshehta i Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, ku u arrestuan mbi 30 persona, shumica prej tyre zyrtarë policorë, mund të dështojë për një pjesë të të akuzuarve në këtë rast.

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti Special ka refuzuar provat e siguruara për 14 të akuzuarit në këtë rast.

Provat e siguruara, si transkriptimet e bisedave të urdhëruara nga gjykata, si dhe çdo provë tjetër e siguruar përmes aplikimit të masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit deri më datën 6.5.2019, janë shpallur të papranueshme dhe janë përjashtuar nga shkresat e lëndës sipas vendimit të gjykatës.

Sipas Departamentit Special, vëzhgimi i fshehtë fotografik ose me video, monitorimi i fshehtë i bisedave, shfrytëzimi i mjeteve për përcjellje të vendndodhjes, blerje e simuluar dhe simulin i veprës së korrupsionit në raport me disa të pandehur, nuk do të merren në konsideratë nga ky departament gjatë shqyrtimit të këtij procesi gjyqësor.

Kjo, pasi që këto masa të fshehta ndaj disa të pandehurve, sipas gjykatës, ishin aplikuar pa aktvendim për fillim të hetimeve.

Avokati i njërit prej të akuzuarve, në këtë rast ndaj të cilit gjithashtu gjykata ka hedhur poshtë këto prova, thotë se janë përjashtuar provat të cilat ishin marrë kundërligjshëm nga organi i akuzës.


“Ajo çfarë është shqetësuar se standardet e larta profesionale nuk aplikohen apo aplikohen rrallë në rastet e larta penale dhe kjo ndikon që të kontestohet kredibilitet i provave të mbledhur sanë procedurën hetimore. Prandaj në këto procedura është e rëndësishëm që të vihen në shprehej një standardit i lartë i mbledhjes së provave konform legjislacionit në fuqi”, thotë Musa Damati, avokat i N.G..

KTV-ja ka kontaktuar ish-prokurorin special Sylë Hoxha, i cili kishte hetuar këtë rast dhe e kishte ngritur aktakuzën, por ai ka thënë se ka vepruar sipas procedurës së Kodit të procedurës penale dhe se, sipas tij, për të gjitha rastet ka pasur aktvendime për hetime.

Në maj të këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për 33 persona, për veprat penale: keqpërdorim i autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti e kontrabandë me mallra, derisa vepra penale krim i organizuar kishte rënë.

Aksioni, i cili nisi në 4 komunat veriore, rezultoi fillimisht me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë, kryesisht serbë, dhe disa qytetarë.

Gjatë këtij aksioni një polic u plagos dhe disa të tjerë u lënduan pas rezistencës së serbëve lokalë, që përmes barrikadave tentuan të pengonin aksionin.

Që nga muaji maj, kur është ngritur aktakuza, deri më tani është mbajtur vetëm seanca fillestare, ku të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.