Arbëri

SHSKUK-ja njofton se vetëm edhe 20 vende janë të lira në Infektive

Oborri i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, tash e një javë është stërmbushur me qytetarë që kërkojnë të testohen.

Situatë e njëjtë është edhe në pjesën, të cilën merren rezultatet e testimeve që kanë përfunduar ditë më parë.

Qytetarët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, po janë ankuar se po presin me orë të tëra për të kryer shërbimet në Institut.

KOHA ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të IKSHPK-së, mirëpo ata nuk kanë dhënë detaje, por vetëm kanë treguar se tashmë testimi bëhet vetëm në hapësira të hapura.

Gjatë 24 orëve të fundit, Kosova ka shënuar sërish rekord me të infektuar, me 284 raste të reja të konfirmuara, nga 1 mijë e 58 mostra.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, një person ka vdekur nga koronavirusi e viktima po trajtohej në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.

Rritjen e numrit të të infektuarve po e shohin shqetësuese edhe infektologët.

Tregojnë se është rritur numri i personave që po kërkojnë trajtim spitalor.

“Duke testuar më shumë ne nuk e parandalojmë, por ne e dimë se nga me u orientu se cilat veprimtari e aktivitete po rrezikojnë më shumë rritjen e COVID-19, e dyta ky numër do të rritet, sepse nuk jemi vetëm ne, por kemi edhe vende të tjera që është rritur numri, ne e dimë që Kosova është më mirë se vendet e tjera. Këtë fazë duhet të bëhet më shumë kontrolle që të dënohen e të mbyllen vendet ku nuk respektohen masat”, thotë infektologu Sadiku.

Duke kërkuar nga qytetarët që të rrisin kujdesin dhe të respektojnë masat, Sadiku ka treguar se kjo klinikë tashmë ka vend vetëm edhe për trajtimin e rreth 20 pacientëve të tjerë.

Në QKUK dhe spitalet regjionale 196 të konfirmuar me COVID-19, janë duke marrë trajtim spitalor, prej të cilëve 12 janë në respiratorë.

Gjatë ditës është mbledhur Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, ku ishte pjesëmarrës edhe ministri i Shëndetësisë.

Në njoftimin për media thuhet se është miratuar Plani për parandalim dhe kontroll të Covid-19 për periudhën nëntor-prill 2021, por që nuk janë dhënë detaje se çka përmban ai.