Arbëri

Mijëra kilometra e qindra litra derivate shpenzoi KQZ-ja gjatë pandemisë

Mijëra kilometra të kaluara dhe qindra litra naftë ka shpenzuar Komisioni Qendror Zgjedhor, për të cilat nuk ekzistojnë dëshmi se janë realizuar për qëllime zyrtare.

Rritje të shpenzimeve ka pasur në periudhën janar-shtator, ani pse nuk ka qenë vit zgjedhor dhe për disa muaj vendi ka qenë i mbyllur për shkak të pandemisë COVID 19.

“Koha” ka siguruar dokumentet që tregojnë për shpenzimet dhe praktikën e përdorimit të automjeteve 24 orë, në kundërshtim me udhëzimet e KQZ-së.

Gjatë kësaj periudhe, veturat kanë kaluar 81 mijë e 125 kilometra. Totali i derivateve të shpenzuara është 5 mijë e 245 litra. Mesatarja e shpenzimeve në tremujorin e parë të këtij viti është 6.46 litra për 100 km.

Edhe pse vendi ka qenë në mbyllje prej marsit deri në qershor, veturat e KQZ-së nuk janë ndalur. Në mars ato kanë kaluar 8 mijë e 264 kilometra, në prill 1663, në maj 2 mijë e 100 dhe në qershor 9 mijë e 344 kilometra.

Kryetarja Valdete Daka, mban në shfrytëzim veturën Shkoda, për 9 muaj ka kaluar 8 mijë e 207 kilometra dhe janë shpenzuar 840 litra derivate.

Pas mbledhjes së KQZ-së disa prej anëtarëve kanë shpërthyer në kritika, kur u janë treguar shifrat e kilometrave të kaluara.

Në rastin e anëtarit Elshani, sekretariati i KQZ-së ka dhënë vërejtje për mënyrën e shfrytëzimit të veturës zyrtare.

Ndërkaq, vetura e anëtarit të AAK-së, Ibrahim Selmanaj, i cili udhëton nga Deçani për nëntë muaj ka kaluar rreth 12 mijë kilometra. Ai thotë se nuk i ka barazuar ende kilometrat.

“Për kilometra dorën në zemër nuk e di, por prej marsit e kam në shfrytëzim makinën. Kryesisht e bëj çdo ditë pune edhe kur ka raste të jashtëzakonshme që duhet me udhëtu prej Dukagjinit në Prishtinë”, tha Selmanaj.

Për mungesën e saktësisë në shpërndarjen e kilometrave të shpenzuar anëtarët e kanë hedhur përgjegjësinë te sekretariati i KQZ-s.

Vitin e kaluar, edhe auditori i brendshëm ka konstatuar se “detyra zyrtare” nuk mund të konfirmohet as vërtetohet me asnjë dokument.

Sipas tij, përveç autorizimeve të përdorimit dhe shfrytëzimit të automjeteve, dokumentet e tjera standarde nuk janë plotësuar me elemente që tregojnë qëllimin e përdorimit të automjeteve.

Treguesit e mesatares së derivateve që i ka hartuar KQZ-ja, nuk përputhen me treguesit e Auditorit të brendshëm.

Mesatarja e shpenzimeve të derivateve, sipas raportit të KQZ-së, është 130 mijë e 548 kilometra, ndërsa sipas të dhënave të Auditorit, për vitin 2019 kjo mesatare ishte 155 mijë e 680 km.

Sipas rregullores, shfrytëzimi i automjeteve duhet të bëhet për kryerjen e detyrave zyrtare dhe vajtje ardhje në punë. Praktika e deritashme e shfrytëzimit të automjeteve tregon për përdorim i tyre bëhet për 24 orë.