Arbëri

BE-ja pret nga Kosova negocimin për AKS-në, kritikohet nga shoqëria civile

Qeveria e Kosovës do të duhej ta negociojë qëndrimin e saj lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, megjithëqë atë e konsideron çështje të mbyllur.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, të mërkurën ka deklaruar në KTV se nga Ekzekutivi presin një dokument me parime të dakorduara se si do të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin.

“I takon Qeverisë së Kosovës të propozojë mënyrën për të ecur para. Nga këndvështrimi im kishte një numër dokumentesh dhe komunikimesh informale për këtë çështje, por ne presim pozicionin e qeverisë së Kosovës për mënyrën si të vazhdohet me këtë çështje”, tha Szunyog.

Por në pyetjet nëse do ta bëjnë një gjë të tillë, nuk janë përgjigjur nga Zyra e Kryeministrit.

Në përgjigjen me shkrim nga ky institucion është ripërsëritur qëndrimi që parimi themelor në dialog është “se nuk ka dakordim për asgjë derisa nuk dakordohemi për të gjitha, dhe nuk ka zbatim të pjesshëm të marrëveshjes.

“Në kuadër të procesit të dialogut, për Asociacionin është biseduar vite më parë. Për këtë temë ka vendim edhe të Gjykatës Kushtetuese dhe garant me shkrim të zonjës Mogherini (atëherë shefe e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të BE-së), që Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive. Në kuadër të parimeve për dialog, të pranuara nga institucionet vendore dhe bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, në këtë fazë jemi duke punuar për marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Parim themelor është se nuk ka dakordim për asgjë derisa nuk dakordohemi për të gjitha, dhe nuk ka zbatim të pjesshëm të marrëveshjes”, deklaron Antigona Baxhaku-Idrizi, drejtoreshë e Zyrës për Komunikim me Publikun.

Nga shoqëria civile ndonëse vlerësojnë se çështja e Asociacionit nuk duhet të rihapet, e shohin të padrejtë qasjen e BE-së ndaj Kosovës për këtë çështje.
“..Nga të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel prej vitit 2011 kur ka filluar procesi i dialogut pala serbe nuk i ka implementuar atëherë pse duhet t`i bëhet presion vetëm palës kosovar që t`i implementoj këto marrëveshje”, thotë Emir Abrashi, hulumtues në “Democracy Plus”.

“Ajo çfarë duhet të bëjë pala kosovare është që sa më shpejt të ndërtojë një qëndrim zyrtar lidhur me asociacionin dhe këtë qëndrim të tentoj harmonizoj edhe me subjektet e tjera jashtë qeverisë në mënyrë që të ndërtohet një qëndrim sa me i gjerë politik rreth kësaj teme e cila është mjaft kritike për Kosovën dhe ky qëndrim të krijohet dhe të mbahet konsistent që të mos ndërrohen qëndrimet për asociacionin”, deklaron Violeta Haxholli, hulumtuese e KDI-së.

Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia fillimisht janë dakorduar në prill të 2013-s. Derisa dy vjet më vonë, më 2015, kanë diskutuar për parimet mbi të cilat do të krijohej një asociacion i tillë. Në fund të 2015-s Gjykata Kushtetuese pati vlerësuar se 23 pikat e Marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.