Arbëri

Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës, mbahen tri debate parlamentare

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë plenare, për të votuar për pikat e mbetura nga seancat e kaluara, ndërsa më pas, në po të njëjtën ditë, do të mbajë seancë të re.

Seanca do të vazhdojë më shqyrtimin e parë të Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës, për të vazhduar me zgjedhjen e drejtorëve të Bordit të NP KOSTT-it nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe kuotës gjinore, si dhe zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave.

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, raporti i Auditimit për vitin 2019, si dhe kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës për miratimin e buxhetit të këtij Komisioni Hetimor.

Në këtë seancë do të zhvillohen po ashtu edhe tri debate parlamentare: lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës, lidhur me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbaj të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur, sipas kërkesës së deputetit Endrit Shala, mbështetur nga 6 deputetë tjerë, si dhe debat lidhur me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit, sipas kërkesës së deputetes Albena Reshitaj, mbështetur edhe nga 14 deputetë tjerë.