9 perditesime
00:25

Isufi: Vjedhja e 2 mln euro nga Thesari është skandal që tregon se në Kosovë është abuzuar me mjete shtetërore

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se vjedhja e dy milionë eurove nga Thesari i shtetit të Kosovës është skandal që tregon se në Kosovë është abuzuar me mjete shtetërore. Ai ka thënë se është obligim i institucioneve të drejtësisë që të zbardhin rastin dhe po ashtu ka thënë se çështja është te administrata që nuk ka ndryshuar rrënjësisht nga qeveritë e kaluar.a

“Ka qenë një prej veprimeve që ka ndodhur në Kosovë e që ka mundësi të ketë patur edhe më herët. Është obligim i institucioneve mbi zbatimin e ligjit të veprojnë konform rregullave që ekzistojnë në demokraci. Duhet vepruar sistemi i drejtësisë që gjykatat të jenë të pavarura, prokuroritë po ashtu, të bëjnë veprimin e duhur pavarësisht se kush mund të jetë i përfshirë në veprime të tilla. Ky verpim na bënë me dije se në Kosovë mund të bëhen keqpërdorime të tilla dhe nuk duhet lejuar të ndodhin. Është skandal i llojit të veçantë që tregon se në Kosovë është abuzuar me mjete financiare të shtetit. Konsiderojmë se është e bartur nga e kaluara, mirë që është zbuluar pikërisht nga kjo Qeveri, në kohën kur vepron kjo Qeveri. Më mirë të zbulohet tani dhe të merret çdo veprim për të evituar rastet e tilla. E kemi edhe rastin në AUV ku u vjedhë kasaforta. Tregon se duhet vepruar edhe mëtutje që çdo gjë të jetë në siguri të plotë në këtë vend”, ka thënë Isufi në Intreaktiv të KTV-së.

Ai nuk ka dashur të përgjigjet nëse aludon se personat që kanë kryer vjedhjen janë nga PDK-ja apo ndonjë parti tjetër.


“Administrata ka vazhduar të veprojë si e njëjtë, nga qeveritë e kaluara, nuk ka pasur lëvizje të tilla që të ndryshohet në masën që të bëhet revolucion i brendshëm. Kuadrot në administratë kanë vazhduar punën brenda. Administrata ka defekte e duhet zbuluar nga prokuroria e gjykatat të kryejnë detyrën e tyre. Po ashtu Qeveria duhet të mbështesë ato e të mos ndërhyhet politikisht. Shikoni prej kur punojnë këta punonjësit e administratës që akuzohen dhe mund të kuptoni se ku buron keqpërdorimi. Nuk kam adresë të veçantë, shikoni kuadrat nga vijnë. Kemi deklarime edhe të atyre që kanë qenë në administratë dhe që janë me pozicione politike, është pasqyrë e qartë”, ka thënë Isufi.

00:23

Isufi tregon pse duhet të përkrahet Haradinaj për president

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka dhënë disa arsye se pse duhet të mbështetet Ramush Haradinaj për president të vendit.

“Konsideroj se ka arsye të përkrahet (Haradinaj për president). Një është për shkak se ne në vazhdimësi e kemi theksuar se vendit i duhet një lider konsensual i cili përfaqëson unitetin e popullit dhe sipas pikëpamjes tonë z. Haradinaj në momentet edhe më kyçe ka treguar se është një lider i cili komunikon me të gjithë kur janë interesat e vendit”, ka thënë Isufi në Interaktiv të KTV-së.

Ndër të tjerash ai ka cekur edhe themelimin e ushtrisë.

“Kemi pasur veprime të cilat kanë sjellë dobi për Kosovën, e që mund ta ceki të fundit kur ka qenë kryeministër Haradinaj, themelimin e ushtrisë kanë qenë 107 vota, që rrallë ndonjëherë ka ndodhur në parlamentin e Kosovës të jetë një konsensus i tillë i partive politike që të jenë unik”, ka thënë ai. “Haradinaj disa herë ka treguar se është i gatshëm që mbi interesat politike të ngushta të ketë interesat e vendit apo të kombit. Me statutin e Trepçës ju e dini që personalisht është angazhuar dhe është arritur që së paku sot ta kemi një aset që është shumë rëndësishëm i Kosovës”.

00:13

Isufi: AAK-ja nuk e përkrahë asnjë marrëveshje që është kundër interesave të Kosovës

AAK-ja nuk do ta përkrahë asnjë marrëveshje që është kundër interesave të Kosovës, ka thënë nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi në Interaktiv.

Ai ka thënë se dialogu në Bruksel nuk po sjell rezultate të mjaftueshme.

"Nuk duhet humbur shumë kohë me Brukselin, i dimë pozicionet e tyre. E kemi zgjidhjen përfundimtare të kryer", ka thënë ai. "Me Brukselin duhet të bëhen vija të qarta në të cilat ne mund të dialogojmë duke e theksuar se e vetmja mënyrë e diskutimit që mund të jetë me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke".

Temat e tjera sipas tij do të duhej të shqyrtoheshin temat e tjera.

"Bashkimi Evropian nuk po mund të luajë rolin e një ndërmjetësuesi që ka kredibilitet për t'i vendosur gjërat në vend. Përkundrazi kemi biseda, por rezultatet mungojnë", ka thënë Isufi.

Ai thotë se varet çfarë marrëveshje do të jetë.

"Nëse mungon njohja, reciprocitet në kuptimin e angazhimit të përbashkët të Serbisë dhe Kosovës për një fqinjësi të mirë atëherë të tjerat tema do të jenë vetëm prolongim i procesit dhe vetëm devalvim i procesit të Kosovës. Ne kemi theksuar se nuk përkrahim asnjë marrëveshje e cila mund ta dëmtojë interesin e Kosovës e sidomos kur ka ndërhyrje brenda interesave të Kosovës nga ana e Serbisë", ka thënë Isufi.

Sipas tij dialogu nuk është çështje muajsh, por do të zgjasë me vite.

00:09

Isufi: Dialogu në Bruksel nuk po sjellë rezultate

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se dialogu në Bruksel mes Kosovës e Serbisë nuk po sjellë rezultat të mjaftueshëm dhe se duhet vendosur vija të qarta e të thuhet se mund të dialogojmë vetëm me njohje të ndërsjellë.

“Dialogu në Bruksel nuk po sjellë rezultate të mjaftueshme. E them edhe njëherë se nuk duhet humbur kohë me Brukselin. E dimë pozicionin e Lajçakut e të Borrellit dhe shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën apo që janë të rezervuara ndaj Kosovës. Po lihet mundësia të diskutohet edhe më tej çështja e Kosovës se cila duhet të jetë zgjidhja përfundimtare. Ne e kemi zgjidhjen përfundimtare të kryer qysh në vitin 2008 me shpalljen e pavarësisë, e njohur nga shumica e shteteve që sot vendosin për interesa strategjike globale. Nuk kemi nevojë aspak të merremi me tema që vetëm e bëjnë Kosovën të devalvuar në bisedime. Me Brukselin duhet bërë vijat e qarta të cilat ne mund të dialogojmë, duke theksuar se e vetmja mënyrë e diskutimit me Serbinë është njohja reciproke. Tjerat janë tema që do të mund të vinin pas njohjes, pasi kemi probleme të bartura me shekuj me Serbinë. Vetmë pas njohjes do të mund të shqyrtoheshin temat të cilat janë të diskutueshme mes dy fqinjëve. Konsideroj se është humbje kohe. Që nga viti 2010 kur kanë nisur bisedimet teknike, kemi humbur kohë, është devalvuar interesi nacional i Kosovës, duke u sjellë në rreth e duke mos pasur rezultate të mjaftueshme. Serbia në vazhdimësi përfiton nga këto angazhime e që është vërejtur se nuk ka sjellë një dobi”, ka thënë Isufi në Interaktiv të KTV-së.

00:02

Isufi: Largimi i pikës për njohje në Uashington ishte gabimi i delegacionit kosovar

Largimi i pikës për njohjen nga Serbia në Marrëveshjen e Uashingtonit ishte gabimi i delegacionit kosovar, sipas nënkryetarit të AAK-së, Ahmet Isufi.

“Kosova është shtet i pavarur, i barabartë dhe absolutisht të mos pranojë tema të cilat i ofron Serbia në tryezë e pastaj Bashkimi Evropian mundohet t'i fasilitojë ato. Kosova duhet ta ketë iniciativën e vet, temat e veta dhe të mos lejojë edhe të prolongohen proceset, edhe të mos ketë zgjidhje edhe Serbia të përfitojë nga to. Gabimi i delegacionit të Kosovës ka qenë se ka pranuar heqjen e njohjes që ka qenë në tekstin e parë nga ana e Serbisë, njohjen e Kosovës. Është dashur të ngulin këmbë sepse çështja e Ujmanit është një çështje që ka të bëjë me interesat e drejtpërdrejta të Kosovës, që ne i dimë. Është dashtë që nëse arrihet një marrëveshje e tillë, njohje të jetë patjetër në dokumentin e ofruar dhe të mos hiqet dorë”, ka thënë Isufi. “Sepse është hequr dorë pa asnjë kompensim tjetër që do të kishte mund ta përfitonte Kosova”.

Ai ka shtuar se delegacioni i Kosovës duhet të jetë i përgjegjshëm dhe nuk duhet të lëshojë pe. Kjo duhet të jetë vërejtja e fundit ndoshta që nuk ka bisedime pa njohje reciproke, sepse po vërehet që çdo temë që po hynë jashtë kësaj teme kryesore për neve po e favorizon Serbinë.

00:00

Isufi: Nuk duhet të humbim kohë në bisedime teknike

Nëkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se nuk duhet humbur kohë në bisedime teknike në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe nëse duhet biseduar tani me Serbinë atëherë vetëm për njohje të ndërsjellë, pasi temat tjera janë të përsëritura që nga viti 2010.

“Bisedimet teknike janë bisedime që është parë se çfarë sjellin dhe duhet të ndërpritet ky angazhim në mënyrën e tillë. Në të kaluarën e dini se ka pasur bisedime teknike që kanë qenë krejtësisht politike, sepse nuk ka bisedime teknike me Serbinë e të mos jenë politike. Vet përmendja tani e Asociacionit që është problem i brendshëm i Kosovës, është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe institucionet e Kosovës duhet t’i realizojnë objektivat të cilat i paraqet Kushtetuta e Kosovës e të mos jenë pjesë e bisedimeve që mund të kalojnë në dimension politik e që e bëjnë interferimin e drejtpërdrejt të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Isufi për Interaktiv në KTV. “Nuk duhet lejuar absolutisht dhe sa i përket BE-së në këtë drejtim, kemi parë se nuk ka një konsekuencë të vazhdueshme që do të mund të obligonte Serbinë në realizimin e marrëveshjeve të kaluara. Nëse BE-ja sillet në mënyrën se si është sjellë edhe më herët atëherë nuk ia vlenë të hargjohet kohë, por më shumë institucionet e Kosovës të punojnë brenda Kosovës, ta forcojnë Kosovën politikisht, ekonomikisht dhe në diplomaci e gjitha sferat tjera, sesa të humbim kohë me tema të cilat janë të përsëritura që nga fillimi i bisedimeve në vitin 2010. Konsiderojmë se s’ka bisedime teknike me Serbinë. Çdo bisedë në tavolinë me Serbinë është politike e duhet shikuar në aspektin e tillë. Nëse duhet të bisedohet tani me Serbinë, atëherë duhet biseduar vetëm për njohje të ndërsjellë”.

23:50

Isufi: Nuk ka çarje që e rrezikon koalicionin

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se momentalisht nuk ekziston ndonjë çarje që e rrezikon koalicionin qeverisës.

“Pasi ka marrë vendimin që ta shfuqizojë Task-Forcën kryeministri e ka arsyetuar me një angazhim të mëtutjeshëm për një mekanizëm ose instrument tjetër që do të ishte gjoja më i pavarur se ky. Por, unë konsideroj se kjo do të bëhet paraprakisht, para se të ndodhte veprimi”, ka thënë ai.

Isufi ka shtuar se tani është një komunikim i brendshëm edhe ndërmjet ministrit të Drejtësisë edhe kryeministrit e të tjerëve.

“Besoj se veprime të tilla nuk do të lejohen në të ardhmen sepse e dobësojnë funksionimin institucional. E dobësojnë edhe partneritetin. Por, momentalisht nuk ka ndonjë çarje të tillë që do të mund ta rrezikonte Qeverinë”, ka deklaruar Isufi.

23:49

Isufi: Është momenti i fundit kur partnerët e koalicionit duhet të ulen e të diskutojnë

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është momenti i fundit kur partnerët e koalicionit duhet të ulen e të diskutojnë gjërat paraprakikisht, para se të ndodhin ato.

Ai ka përmendur rastin e bisedimeve në Washington dhe reagimi që erdhi më pas nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në lidhje me pikën e Ujmanit. Po ashtu edhe për shuarjen e Task-Forcës Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës.

“Ne e konsiderojmë se duhet megjithatë të shikohet mundësia e funksionimit të Qeverisë duke i arsyetuar veprimet. Nëse një palë mund të gabojë, tjetra e ka për detyrë ta korigjojë, qoftë edhe përbrenda. Është mirë që opozita ta korigjojë pozitën, por jo edhe brenda koalicionit të ketë korrigjime mes vete në publik, derisa ka mundësi të bëhet në komunikimin e brendshëm.. Nuk kemi hezituar t’i theksojmë këto. Nëse vërtetë vazhdon një mospërfillje e tillë e partnerëve mes vete, atëherë është më mirë të definohen gjërat e të mos lejohen të bëhen veprime që mund të jenë në kundërshtim me interesat e publikut, apo qytetarëve të Kosovës. Konsideroj se duhet të jetë një komunikim, është momenti i fundit kur partnerët në qeverisje duhet të ulen e t’i diskutojnë gjërat paraprakisht, para se të ndodhin ato. Si shembull bisedimet në Washington, ka pasur një përplasje me s partnerëve politikë, reagimi i AAK-së dhe kryetarit Ramush Haradinaj, si dhe tash përmes vendimit ndaj Task-Forcës, që është çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e qeverisjes brenda. Vlen për kryeministrin kjo, zv/kryeminisrat, ministrat, që duhen bërë veprimet e duhura, duke u konsultuar e pastaj t’i qesin si vendime”, ka thënë Isufi.

23:43

Isufi: S’ka pasur diskutime brenda koalicionit rreth shuarjes së Task-Forcës

Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, ka thënë në Interaktiv të KTV-së se nuk ka pasur diskutime brenda koalicionit kur është marrë vendimi për shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion.

“Pikërisht se pse ka ndodhur në mënyrën e tillë ka pasur reagim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë për shkak se duhet të shteren të gjitha argumentet përbrenda Qeverisë dhe ajo duhet të jetë e kujdesshme, partnerët e koalicionit kur e krijojnë një Qeveri e cila duhet të jetë funksionale atëherë duhet që komunikimi të jetë paraprakë dhe vendimet të mos jenë ad-hoc të cilat mund të shkaktojnë edhe ndarje të pozicioneve të partive politike”, ka thënë Isufi.

Ai ka shtuar se është detyrë e kryeministrit që me gjithë ministrat kur merr vendime paraprakisht t'i shterojnë argumentet në mënyrë që të mos e hutojnë edhe publikun.

“Përkundrazi nëse duan të tregojnë që janë qeveri serioze dhe njerëz që duan të jenë në institucione duke vepruar në interes të qytetarëve të Kosovës atëherë përbrenda duhet të shteren argumentet në mënyrë që kur të merren vendimet të mos jenë të diskutueshme”, ka thënë ai. “Na kanë dalë disa herë tema të cilat kanë bërë bujë në publik sepse ka pasur kundërshtime edhe brenda partive politike të cilat sot janë në Qeverisje”.

Isufi ka shtuar se ndoshta ka pasur në momentin e fundit diskutime.

“Por, konsideroj se nuk duhet të qiten para aktit të kryer as partia më e madhe në pushtet, ose e kundërta. Partneriteti duhet zhvilluar duke komunikuar dhe duke marrë vendime të cilat kanë përmbajtje të arsyeshme dhe që nuk lejojnë diskutime ose çarje ndërmjet partnerëve politikë”, ka thënë Isufi.

23:39

Isufi: Çdo vendim i Kushtetueses duhet respektuar

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohet, pasi në këtë mënyrë rruhet kredibiliteti i gjykatës.

Ai ka folur në Interaktiv në KTV në lidhje se mund të ketë një vendim të Kushtetutës në lidhje me rastin e deputetit Etem Arifi.

“Është çështje e vendimit të Kushtetëutës dhe është vendim autonom i gjykatës., çdo vendim duhet të respektohet, dhe deri tani në shumicën ësahtë raespektuar. Vendimet me president, e zgjedhet e parakohshme, krijimin e koalicioneve. Çdo vendim i tillë duhet të përkrahet nga partitë politike, pasi kështu ruhet autoriteti i Kushtetuës, po ashtu mbahet edhe stabviliteti politik e institucional i vendit”,, ka thënë Isufi.

Ai ka treguar edhe për takimin e sotëm të liderëve të partive në pushtet.

“Kohëve të fundit ka takime më të shpeshta, qoftë mes liderëve politikë që janë takime të zakonshme të përsëritura, por edhe takime të veçanta që kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit.Këto zhvillime tregojnë për situatën e brendshme në Kosovë, çështjen e pandemisë, politikave të jashtme që ka ndikuar në zhvillimet e mëtutjeshme e që përmes takimeve të ndryshme që ka nevojë për konsultim të përbashkët të institucioneve e të partive politike, për t’u koordinuar për veprimet të cilat janë të domosdoshme për Koësovën. Qoftë për funksionin e brendshëm, e qoftë edhe për bisedimet që janë temë e vazhdueshme për Kosovën”, ka thënë Isufi.