Për secilën pikë të aktakuzës ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, të mërkurën është deklaruar i pafajshëm.
Në seancën e dytë gjyqësore, e cila është seancë përgatitore ose statusore, Mustafa, para deklarimit rreth fajësisë, ka folur për akuzat ndaj tij.
Ai ka numëruar disa nga krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.
“..Edhe për mbi 1300 fëmijë të vrarë e masakruar, 16 mijë viktima civile, për të dhunuarat, për kthimin dhe gjetjen e mbi 1600 bashkëqytetarëve ende të zhduyur, varrezat masive ende të pazbuluara, mbi 450 masakra të ndodhua anë e këndë kosovës, dhe dëmet kolosale materiale të shkaktuara mbi ekonomitë familjare dhe ekonomitë shoqërore që i shkaktoi okupatori gjenocidial i Serbisë”, tha ndër tjera Mustafa.
Mustafa tha se shpreson që Dhomat e Specializuara nuk do të ndikohen nga politika apo nga persona që, siç u shpreh ai, përmes kësaj gjykate duan të "qërojnë hesape”.
Ai ka cituar Biblën kur ka folur për “vendorë e ndërkombëtarë”, që kanë ndikuar në krijimin e kësaj gjykate.
“Për këtë kategori nuk po gjej fjalë adekuate për të shprehur, sesa fjalët hyjnore të Jezu Krishtit në momentin e kryqëzimit kur thotë “Fali o zot se nuk po e dijnë çfarë po bëjnë”, tha Mustafa.
Mustafa ka përsëritur fjalën i pafajshëm në secilën pikë të aktakuzës ndaj tij.
I pafajshëm
Pjesa tjetër e seancës ka qenë plotësisht teknike, që më shumë i ka ngjarë debatit juridik mes prokurorit të specializuar e avokatit të Mustafës.
Juliuos Von Bone, që e përfaqëson Mustafën, edhe në seancën e dytë statusore ka kontestuar ligjshmërinë e kësaj gjykate.
“Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimit të mocioneve të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo ligjshmërinë e gjykatës dhe fakti që jemi këtu sot, nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë, por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, tha Von Bone.
Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë se deri tani kanë dorëzuar 83 prova materiale, ku përfshihen edhe deklaratat e dëshmitarëve. Ka folur edhe për librin shqip që po përdoret si provë në këtë proces.
“Të njëjtën ditë, të premten e shkuar, ne kemi nxjerrë paketën numër 9 mbështetur në rregullin 102 pika 3, që është një libër që është në gjuhën shqipe dhe në anglisht dhe të cilën e kemi diskutuar. Ia kemi dërguar edhe një email mbrojtjes paketat me informacione që kemi zbuluar. E vetmja vështirësi që mund të hasim, u diskutua pak minuta më përpara”, tha prokurori.
Edhe një tjetër seancë përgatitore do të mbahet në këtë proces, por data e saj ende nuk është caktuar.
Mustafa është ish-eprori i parë i UÇK-së kundër të cilit është konfirmuar aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të Gjykatës Speciale.
Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”.