Arbëri

Berani: Zgjedhjet e vitit 2000 ishin historike

Elviana Berani, doajene e gazetarisë, në “Express Intervistë” të KTV-së ka folur për proceset zgjedhore në Kosovë nga viti 2000 e tutje.

Ajo e ka quajtur historike zgjedhjet lokale të vitit 2000 kur ishte një dalje masive e qytetarëve në zgjedhje.

“Ka qenë një moment vërtet historik zgjedhjet e para të pasluftës në Kosovë ku të gjithë ëndërronin konsolidimin e institucioneve. Zgjedhjet e para u organizuan nga OSBE-ja, por epilogu ishte ai që synohej, themelimi i institucioneve. Ishte një ditë e madhe, entuziazëm vërtet i paparë. Unë nuk kam parë një entuziazëm siç ishte në ato zgjedhje. Rreth 79 për qind e elektoratit doli në zgjedhje. Interesimi ka qenë shumë i madh, gara ka qenë e madhe”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo kujton edhe polarizimet e mëdha që u krijuan.

“Është përcjellë me mjaft tensione. Elektorati realisht krijoi përshtypjen se ishte i ndarë në krahun e luftës dhe atë paqësor, por epilogu ishte se qytetarët ishin për paqe. S’kam qenë aspak e befasuar me rezultatin. Një shumicë e mirë e qytetarëve realisht kanë pritur një epilog të tillë, sepse lufta ka rritur shumë shpresat e qytetarëve, gjithë ajo vuajtje qonte në një dëshirë të natyrshme se paslufta do të sjellë qetësi dhe paqe të qëndrueshme ku secili kthehet jetës normale. Paslufta shpërfaqi shumë gjëra negative, pati vrasje, fjalor të rënduar”, ka thënë Berani.

Sipas Beranit fitorja e thellë e LDK-së në zgjedhjet komunale të vitit 2000 e ka ashpërsuar edhe më tepër skenën politike sepse oreksi për pushtet ishte shumë i madh.

“Kosova në procese zgjedhore padyshim ka pësuar evolucion, por ende ka defekte serioze. Atë botë nëpër tubime fjalori ishte i paparë. Gjuha ka eskaluar menjëherë pas luftës, plot fyerje. Në vitin 2001 në vend se diskursi të zbutej ai shkoi të ashpërsoi, e më pas filloi të normalizohen. Tri vitet e para janë përçuar me urrejtje. Diskursi ka qenë nën çdo nivel. Por, krahasuar me urrejtjen ndërpartiake them se edhe kemi pasur fat se sa të reduktohej në një numër të incidenteve. Kam pasur frikë se mund të ndodhë në eskalim masiv”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se ende shtetet e Ballkanit nuk e kanë arritur atë nivel që ta orientojnë votuesin në programe dhe ende, sipas saj, mbetet individi, lideri si orientim.

“Qysh nga viti i parë qytetarët kanë qenë mbi liderët e mbi partitë. Në aspektin se kanë provuar të amortizojnë ndasitë dhe përçarjen. Votuesi jonë është larg më i përgatitur se shumica e politikanëve. Të mirat që ishin prezentë gjatë të gjitha zgjedhjeve ia atribuoi elektoratit. Skena politike mbetet pak a shumë aty ku ka qenë. Në zgjedhjet e fundit kemi pasur 25 subjekte. Nuk shoh ndryshim të madh”, ka thënë Berani.

Berani ka shtuar se shqetësuese është lëvizja e statistikave të daljes së qytetarëve në zgjedhje.

“Ajo që më shqetëson është lëvizja në statistika që ka të bëjë me dalje në zgjedhje. Nga 79 për qind në vitin 2000, tani jemi 43.9 për qind. Gati gjysma. Ulja e pjesëmarrjes në zgjedhje vërehet edhe në shtete të tjera për shkak se bota po ballafaqohet me probleme që po shkaktojnë zhgënjim te qytetarët”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se qytetarët në Kosovë janë të zhgënjyer me politikanët.

“Në Kosovë njerëzit kanë qenë jashtëzakonisht të zhgënjyer me liderët tanë. Nga momenti ku shpallet pavarësia asnjëherë nuk kemi quar në përfundim një mandat. Janë shumë të dëshpëruar (qytetarët). Nuk kisha me thënë se kemi një proces perfekt zgjedhor”, thotë Berani.