1 perditesime
17:28

Bajrami nuk pranon të flasë për kontratën e dyshimtë të MI-së nga e cila u “avulluan” mbi 2 mln euro

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, gjatë mbledhjes së Komisionit ku u paraqit në raportim për skandalin e zhdukjes së 2 milionë eurove e ka pyetur ministren dhe i ka kërkuar të flasë për kontratën e dyshimtë të rrugës Prizren-Prevallë e cila është  nënshkruar nga zëvendësministri i Infrastrukturës pikërisht në kohën kur ministri Arban Abrashi ndodhej në SHBA e pikërisht nga kjo kontratë janë marrë paratë e vjedhura nga zyrtari I thesarit.

Por ministrja Hykmete Bajrami refuzoi të flasë për këtë çështje duke i thënë se kjo është përgjegjësi e ministrit të Infrastrukturës dhe ai duhet të japë shpjegime.

“Paratë që janë vjedhur janë marrë nga dy projekte infrastrukturore. Është vjedhur buxhet i rrugës Zhur-Dragash dhe Prizren-Prevallë. A keni informata a janë të sakta se janë marrë paratë e këtyre dy projekteve dhe si do të kompensohen këto. Dhe a keni informata se projekti i rrugës Prizren-Prevallë, kontrata është nënshkruar nga Zyra e Prokurimit me 23 qershor dhe nga ajo kohë kontrata ka qëndruar në sirtarë dhe pikërisht kur kabineti qeveritar ndodhej në SHBA më 2 shtator kontrata u nënshkrua jo nga ministri por nga zëvendësministri. A keni informata për këtë dhe a mund të na jepni ndonjë shpjegim”, ka pyetur Gashi ministren e Financave Hykmete Bjaramin.

Por ministrja Bajrami edhe në këtë rast, ka thënë se duhet të përgjigjet ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi.

“Këto janë jashtë kompetencës time. Se pse nuk e ka nënshkruar ministri atë kontratë por e ka nënshkruar zëvendësi i tij, kjo është çështje komplet e tij”, tha Bajrami.  

Akuza për zhdukjen e 2 milionë eurove nga Ministria e Financave ka pasur edhe deputetja e Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila e cila tha se nga shpjegimet e ministres del se buxheti nuk ka siguri dhe nuk po shihen masa adekuate për të parandaluar raste të tjera të vjedhjeve./EO

17:21

Bajrami për skandalin e vjedhjes së Thesarit: Deri më tash janë bllokuar 560 mijë euro e janë konfiskuar tri vetura

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se deri më tani janë bllokuar 560 mijë euro nëpër xhirollogari të ndryshme dhe janë konfiskuar 3 vetura, në lidhje me "avullimin" e 1.2 milion eurove nga Thesari i Shtetit.

Bajrami para deputetëve në Komisionin për buxhet dhe transfere, ka treguar se si shkon procedura për të ardhur deri te kryerja e një transaksionit.

"Çka ka ndodhur, ju e dini me datën 19 Thesari është njoftuar nga Ministria e Infrastrukturës se janë kryer disa transaksione, se kjo kompani nuk ka kontratë me ne dhe përmenden emrat se ata nuk janë zyrtarë të ministrisë. Ka hyrë në sistem ka krijuar usera dhe ka kryer procedurat. Ky person edhe në përshkrim të punës e ka pas për të krijuar qasje për zyrtarët. Tash për secilën organizatë buxhetore i ka një ose dy persona që kanë qasje në thesar. Ky person punon që 11 vite në Thesar. Tash ky ka hyrë tek sistemi e ka krijuar një llogari dhe ka bërë urdhërblerjen, ka kaluar tek tjetri e ka bërë edhe certifikimin dhe aprovimin. Kur ka ardhur tek certifikimi e ka përdorur llogarinë e zyrtarit të Mistrisë së Infrastrukturës i cili që 9 muaj nuk punon në këtë ministri. E ka marrë fjalëkalimin e tij dhe e ka kryer. Për secilin person zyrtar që ka qasje në thesar e ka një certifikim. Kjo llogari ka qëndruar e hapur dhe nuk e dimë se si nuk i ka shkuar një email që pasëordi i juaj po preket. Tek divizioni i pagesave gjithçka është dal në rregull. Ky person e ka keqpërdorur detyrën zyrtare", tha ajo.

Bajrami tha se nuk dëshiron të shfajësohet sepse skandali ka ndodhur në Thesar, mirëpo tha se kanë marrë masa shtesë.

"Ne kemi marrë masa shtesë, po bëjmë kontrolle për secilin transaksion. Kjo nuk la mundur të ndodh më herët se për çdo fund të muajit përmes dokumenteve bëhet barazimi për buxhetin e secilës organizatë buxhetore. Ne kemi njoftuar të gjitha institucionet e rendit, AKI. Deri më tani 560 mijë euro nëpër xhirollogri të ndryshme, janë konfiskuar 3 vetura. Ky krim është plotësisht i gjurmueshëm", tha ajo.

Bajrami tha se shpreson dhe beson që mjetet do të kthehen në buxhetin e shtetit.

Medije Musliu, zëvendësdrejtore e Thesarit të Shtetit, ka bërë të ditur se transaksionet për 2.1 milionë euro që janë transferuar në llogarinë e kompanisë "LDA Group" ka filluar në orën 11 e 44 dhe ka zgjatur deri në orën 12 e 48.

"E kemi dëgjuar dikush thotë 8 deri në 9 minuta. Janë nxjerrë raporte nga sistemet elektronike. Transaksionet kanë filluar rreth orës 11 e 44 ose 48 nuk e di saktë. Procesi i fundit ka ndodhur rreth orës 12 e 48. Krejt proceset janë kryer gjatë kësaj periudhe", tha ajo./KSP