Arbëri

Ligjëratat online në fakultete problematike kur kërkohen ushtrime praktike

Për shkak të pandemisë, ligjëratat në fakultetet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po mbahen nga distanca nëpërmjet platformës Google meet.

Ligjëruesit e UP-së thonë se fillimisht kanë pasur problem mungesën e studentëve, por që këtë e kanë tejkaluar pasi i detyrojnë ata që t’i mbajnë ndezur kamerat, transmeton KOHA.

Departamenti i Gazetarisë përveç ligjërimeve, parasheh edhe ushtrime me studentë, ndaj këtu ligjëruesve po u del më së shumti telashe.

Dek: Alban Zeneli
Asistent në Departamentin e Gazetarisë
“Probleme me lëndë praktike me lëndë që kërkojnë ushtrime laboratorike është më i madh mësimi në distancë, është më i vështirë, sepse disa prej detyrave dhe punëve që kërkohen për studentët t’i bëjnë në ambientet ku ata jetojnë. Pra, duhet të ketë xhirime me kamerë ose montazh dhe prandaj konform udhëzimeve do të mundohemi që të paktën disa herë brenda muajit t’i kemi studentët këtu dhe ta marrin pjesën praktike në ambientet ku duhet”, ka thënë Alban Zeneli, asistent në Departamentin e Gazetarisë.

E shefi i Departamentit të Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore, Fitim Humolli, thotë se kjo mënyrë e imponuar e mbajtjes së ligjëratave i ka të metat e veta dhe vërehet që ka pasivitet te studentët.

Andaj, thotë se meqë edhe shkollat fillore e të mesme janë hapur, duhet të rishikohet mundësia të hapen edhe fakultetet.
“Kjo është çështje e diskutueshme dhe nëse ngremë paralele me mësimin në shkollat fillore e të mesme ku vetëdijesimi i nxënësve për rreziqet është më i vogël, atëherë i bie që universiteti ma me lehtësi të kthehet në mësimin e drejtpërdrejtë dhe të zakonshëm, por që neve na ngelet me respektua mendoj që ka mundësi deri në një masë të caktuar në disa fakultete, ku numri i studentëve nuk është i madh dhe sallat janë të bollshme”, ka thënë Humolli.

Nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës nuk bëhet e ditur nëse ka ankesa për mësimin online, por ka shtuar se kjo platformë po mbahet me vendim të Rektoratit për shkak të gjendjes aktuale me pandeminë.