Arbëri

Avokatët me ankesa për mosdefinimin e afateve ligjore në rregulloren e Speciales

Moscaktimi i afatit kohor brenda së cilit bëhet publike aktakuza është vetëm një nga zbrazëtirat e rregullores së Speciales në të cilën kanë hasur avokatët.

Sipas Rregullores së Procedurave dhe Provave para Dhomave të Specializuara, aktakuza bëhet publike jo më vonë sesa paraqitja fillestare e të akuzuarit para gjykatës.

Por, aty nuk përcaktohet afati kohor nga konfirmimi i aktakuzës brenda së cilës i akuzuari paraqitet para gjykatës.

Përveç mungesës së afateve të tilla, Artan Qerkini, një nga avokatët e akredituar nga Specialja, ka vërejtur edhe mangësi të tjera, si dykuptimësia e termeve të përdorura.

“Mendoj se ka hapësirë për përmirësim sepse rregullorja i përdor edhe disa shprehje të cilat mund të kuptohen në dy apo më shumë mënyra, për shembull në lidhje me dorëzimin e aktakuzës pas konfirmimit thuhet se aktakuza i dorëzohet personit të akuzuar pa vonesa të papërligjura duke mos i specifikuar se çfarë nënkuptojmë me vonesa të papërligjura apo përligjura”, ka thënë Qerkini.

Qerkini thotë se rregullorja nuk plotësisht e qartë edhe sa u përket hapave të një gjyqtari lidhur me moskonfirmimin e një aktakuze.

Në anën tjetër, zbrazëtirat në rregulloren e Speciales, sipas avokatit Taulant Hodaj, janë duke u shfrytëzuar nga gjykata, e thotë se janë disa mundësi se si mund të zgjidhej një gjë e tillë.

“Ish dashtë me u miratu një nen specifik i cili e specifikon këtë dhe ndryshohet rregullorja, plotësohet ose në bazë të një vendimi të trupit gjykues elaborohet kjo çështje dhe merret një vendim për një rast të caktuar dhe ajo shfrytëzohet si praktikë gjyqësore edhe në rastet tjera nuk mundet të tejkalohen ato afate”, tha Hodaj.

Përgjigje në pyetjet e televizionit lidhur me zbrazëtirat e rregullores dhe afatet ligjore nuk kanë dhënë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ndryshe, më 24 tetor ka përfunduar afati prej gjashtë muajsh brenda së cilit Dhomat e Specializuara është dashur të vendosin për konfirmimin apo hedhjen poshtë në aktakuzës ndaj Presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.