Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se është takuar me drejtorët e spitaleve të përgjithshme dhe të ShSKUK-së, për t’u njoftuar me situatën epidemiologjike.
Zemaj përmes Facebook ka shkruar se situata në spitalet e Kosovës është stabile mirëpo, sipas tij, këto spitale, nuk duhet ta ngarkojnë QKUK-në.
“Përkujdesja shëndetësore nuk guxon të mungojë, për shkak të virusit. Asnjë kufizim i trajtimit të pacientëve nuk mund të bëhet në spitale e as QKUK. Spitalet e përgjithshme në asnjë moment nuk mund ta ngarkojnë QKUK-në, duke udhëzuar rastet. Pacientët që mund të marrin trajtimin e duhur në spitalet rajonale, duhet të mbesin aty”, thuhet në njoftimin e Zemajt.
Ai tutje ka deklaruar se llogaridhënia dhe transparenca janë të pandashme në punën e tyre ditore.
“Tashmë kur po hyjmë në një fazë të re të përgjegjësisë, pres nga secili përgjegjës që të jetë në nivelin e duhur, rritmi i punës nuk do të ulet, puna do të vazhdoj me përkushtim të shtuar. Kemi shtuar edhe 200 mjekë si dhe 375 staf mbështetës të fushave të ndryshme, ndërsa në specializime edhe rreth 1500 mjekë të tjerë”, ka shkruar tutje ministri Zemaj.