2 perditesime
20:59

Zgjedhjet e (pa)vëzhguara

Eugen Cakolli, nga rrjeti i organizatave “Demokracia në Veprim”, ka thënë se përkundër deklarimeve të KQZ-së se janë gati për zgjedhjet që do të mbahen në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, ata nuk janë gati.

Ai në emisionin Raport të KTV-së ka thënë se ende nuk janë përcaktuar protokollet për organizimin e tyre.

“Megjithatë unë konsideroj që KQZ ende nuk është gati për organizimin e mirëfilltë të këtyre zgjedhjeve dhe ndonëse ka edhe një muaj deri në ditën e mbajtjes së tyre ende nuk janë përcaktuar protokollet për organizimin e këtyre zgjedhjeve meqenëse manuali i Ministrisë së Shëndetësisë për çështjen e zgjedhjeve nuk është ende i përditësuar me rrethanat e aktuale të virusit dhe nuk janë paraparë modalitete për skenarët që mund të ndodhin në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se 6 nëntori ku votuesit e ngujuar në shtëpi mund të votojnë është i shkurtër dhe pamundëson të drejtën e ushtrimit të votës.

“Unë konsideroj që afati 6 nëntori është shumë i shkurtër dhe pamundëson qytetarët nga ushtrimi i votës meqenëse lë një hapësirë kohore prej tre javësh kur qytetarët potencialisht mund të infektohen dhe do ta mua pamundësonte të drejtën e ushtrimit të votës”, ka thënë ai.

Cakolli tutje ka treguar për modalitetet të cilat shohin trajtimin e kësaj çështjeje.

“Në fakt ekzistojnë modalitete që kanë paraparë trajtimin e kësaj çështje dhe mundësia është që KQZ të kërkojë nga IKSHPK-ja të kërkojë listën e të infektuarve dhe pastaj përmes listave përmes ekipeve mobile të ushtrojnë të drejtën e votës. Në mënyrë që të eliminohen dyshimet për manipulime zgjedhore, KQZ mund që në këtë listë të vendosë ndonjë shenjë në mënyrë që të njëjtit të mos mund të votojnë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se dispozitat aktuale ligjore përcaktojnë se nëse pozita e kryetarit mbetet e lirë atëherë kryetari duhet të zëvendësohet përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Cakolli ka thënë se janë shpenzuar miliona euro të taksapaguesve për proceset zgjedhore që janë realizuar disa muaj para proceseve të zakonshme zgjedhore.

Sipas tij, është e domosdoshme që në kuadër të procesit të reformës zgjedhore të përfshihet një çështje e tillë dhe e cila do të ua mundësonte kryetarëve të votoheshin në pako me një nënkryetar, e që sipas tij, në rastet e ngjashme me këto aktualet, kryetari të zëvendësohet me nënkryetarin e zgjedhur.

20:38

Si përfituan shqiptarët nga dalja e ulët në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut?

Naser Pajaziti – gazetar në agjencinë e lajmeve INA, ka thënë se për shkak të pandemisë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut ishin tre ditë të organizuara.

Ai thotë se në ditën e parë votuan njerëzit që ishin të prekur nga virusi, e që për ta ishin marrë masa të veçanta. Ndërkaq sipas tij, në ditën e dytë është zhvilluar votimi nga të burgosurit dhe qytetarët me nevoja të veçanta, dhe në ditën e tretë ishin votimet masive.

“Kishte një proces të rregullt zgjedhor por pati disa vërejtje që u alarmuan, për mbushje të kutive, për fshehjen e identitet me anë të maskave, por këto nuk u morën parasysh nga Komisioni shtetëror zgjedhor dhe në total u vlerësua një proces me disa lëshime që nuk ndikoi në procesin e votimit”, ka thënë Pajaziti në emisionin Raport të KTV-së.

Sipas tij, në ditën e votimit u respektua distanca mes anëtarëve të këshillit në qendrat e votimit, dhe mes votuesve.

Pajziti shtoi se atë ditë procesi zgjedhor ishte i zgjatur deri në orën 21 për të mos e lejuar grumbullimin e qytetarëve.

20:34

Zgjedhjet në Serbi dhe efekti i pandemisë

Gazetari që tash e disa vjet punon për media të ndryshme nga Beogradi, Idro Seferi, tregoi se Serbia u kritikua goxha shumë për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor, porse ato u zhvilluan pa ndonjë problem dhe pa tubime paraelektorale.

Serbia ishte ndër vendet e para në Evropë që mbajti zgjedhje pas izolimit dy-tre mujor për shkak të pandemisë.

Seferi në një intervistë në Raport të KTV-së, tha se zgjedhjet u mbajtën në një kohë kur u mendua se COVID-19 po e humb shkallën e rrezikshmërisë. Ishte kjo periudha pas valës së parë.

“Zgjedhjet u zhvilluan në një situatë kur pati një numër të madh të infektuarve. Serbia ishte kryesuese në rajon për nga numri i të prekurve. Zgjedhjet u zhvilluan pak pas relaksimit të masave. Ka qenë kritike në ditën e zgjedhjeve. Natyrisht zgjedhjet janë mbajtur pa tubime të mëdha, dhe po ashtu me një spektakël të jashtëzakonshëm të presidentit Vuçiq, i cili para qindra ekraneve për herë të parë mbajti një tubim, të themi elektronik. Ata që e shikonin nuk kishin shumë mundësi t’i shtronin pyetje, por gjithsesi ishte një situatë ku ai tregoi fuqinë e tij që edhe në këtë kohë arriti t’i drejtohet elektoratit”, ka thënë Seferi.

Gjithsesi, zgjedhjet patën efektin e tyre. Mbajtja e tyre dhe lejimi i ndeshjeve të futbollit me shikues, rritën numrin e të prekurve me COVID-19.

“U kritikua shumë Serbia, pasi shumë qytete ishin kthyer në vatra të COVID-it. Ato në një formë u relativizuan dhe Shtabi i Përgjithshëm i Krizave filloi të mos mbante konferenca të përditshme për shtyp dhe u krijua një përshtypje sikur COVID-i ishte dobësuar dhe ishte një atmosferë shumë pozitive për t’i mbajtur zgjedhjet. Por dy-tri javë më vonë, jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, edhe për shkak të ndeshjeve të futbollit që u zhvilluan me shikues, pati një rritje të jashtëzakonshme të të prekurve, madje edhe kritika për shtrembërimin e fakteve, për mostregimin e numrit të saktë të të infektuarve dhe të vdekurve në ditë”, ka thënë Seferi.

Zgjedhjet në Serbi nxorën fitues Vuçiqin dhe partinë e tij.