4 perditesime
00:04

Miftaraj: Nëse nuk shfuqizohet vendimi për task-forcën, për 24 muaj shtyhet procesi i liberalizimit

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, foli edhe për liberalizimin e vizave. Sipas tij, nëse nuk anulohet vendimi për shfuqizimin e task-forcës, pasojat janë të mëdha.

“Dështimi i këtyre rasteve është jashtëzakonisht i madh. Këto raste do të prishen. Republika e Kosovës për 24 muaj do t’'u shtyhet çdo proces i liberalizimit të vizave. Faktori ndërkombëtar ka bërë përpjekje të mëdha ta kthejë këtë vendim, nëse kjo nuk do të ndodh faktori ndërkombëtarë nuk do të harrojë dhe do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Miftaraj.

23:54

Miftaraj: Hoti pati një zor të madh kur e shfuqizoi task-forcën kundërkorrupsion

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar se skandali i vjedhjes së dy milionë eurove, është vetëm një për qind e skandalit që ka ndodhur nga Qeveria Hoti. Miftaraj e sheh si skandaloze edhe vendimin për shfuqizimin e task-forcës që merrej me luftimin e korrupsionit në vend.

Miftaraj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se deklarimi i Hotit lidhur me shfuqizimin e task-forcës kundër korrupsionit, ishte një adresim i dobët dhe amatoresk. Ai ka potencuar se Hoti nuk kishte koordinim me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Brendshme.

“Adresimi i tij në ditën kur u shfuqizua task-forca, ishte një ndër adresimet më amatoreske. Ai e luajti një rol të një aktori të dështuar, u mundua të bëjë lëvizje për të treguar pse duhet të shuhet kjo task-forcë. Në njërën anë ministri i Drejtësisë i tregoi se nuk mund të shuhet pasiqë me rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, i cili pritet të përfundojë në dhjetor me një strategji për tri vitet e ardhshme ku janë përcaktuar edhe rekomandimet dhe është bërë një analizë substanciale e kësaj Task-force, ku në bazë të këtij rishikimi thuhet se kësaj task-force t'i ngritet integriteti, përformanca, efikasiteti dhe në anën tjetër, i njëjti kryeministër kërkoi të ketë koordinim mes ministrit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme se çka do të ndodhë me këtë task-forcë”, ka deklaruar Miftaraj.

Ai ka shtuar se ky shfuqizim tregoi se kryeministri Hoti pati një zor të madh, ndërsa potencoi se këtë javë kanë pasur të ndodhin dy arrestime.

“Kjo tregoi se Hoti ka pasur një zor jashtëzakonisht të madh për ta shfuqizuar task-forcën dhe në bazë të asaj qe e kemi ne si IKD, këtë javë kanë pasur për t'u arrestuar dy ministra, një nga LDK që është Lutfi Zharku dhe një nga AAK që është Pal Lekaj. Arrestimet kanë të bëjnë kryesisht me rastet që i ka kjo task-forcë dhe në bazë të asaj që kjo ka një numër jashtëzakonisht të madh të rasteve që kapin vlera qindra dhe miliona euro”, ka thënë tutje drejtori i IKD-së.

Miftaraj tutje ka thënë se qeveria aktuale dhe të gjitha partitë që kanë qenë deri më tani në qeverisje, e kontrollojnë pothuajse në mënyrë totale Prokurorinë e shtetit dhe e vetmja hallkë që kishte mbetur, ishte kjo task-forcë, tashmë e shfuqizuar.

23:45

Miftaraj për vjedhjen në Thesar: Kemi të bëjmë me ndërmarrje kriminale

Ehat Miftaraj nga IKD-ja, në Interaktiv ka folur edhe për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

E ka quajtur të pamatur deklaratën e ministres së Financave, Hykmete Bajrami, e cila tha se “paratë janë të sigurta”.

“Ishte e pamatur deklarata e ministres e cila tha se paratë janë të sigurta. Do i kisha besuar ministres po që se kjo do të ndodhte brenda 24 orëve kur ka ndodhur transaksioni i parë. Transaksioni ka ndodhur më 9 tetor i pari. Deklarata e saj ishte e ngutshme dhe s’ka përkuar me realitetin”, tha Miftaraj.

Sipas tij, ka qenë mundësia që këto para edhe të kthehen në rast se pronarët nuk kanë qenë në dijeni.

“Nëse pronarët nuk përgjigjen pozitivisht, duke ditur se mjetet janë shpërndarë në xhirollogari të ndryshme, edhe në procedurë penale është lehtë të vërtetohet fajësia”, tha ai.

Miftaraj, ka shtuar se “kemi të bëjmë me një grup mirë të strukturuar”.

“Kemi të bëjmë me krim të organizuar, me një ndërmarrje kriminale që përfshin më shumë se 10 persona. Përfshihen disa vepra penale të cilat në bazë të ligjit kanë dënimin mbi 10 vjet”, tha Miftaraj.

Sipas Miftarajt, në rast se të dyshuarit shpallen fajtorë, “mundësia e konfiskimit të pasurisë së tyre është më e madhe”.

“Kjo nuk bëhet brenda nate, prokuroria duhet të marrë vendim për fillim të hetimeve”, tha ai.

23:40

Miftaraj: Çdo ndihmë e qeverisë ndaj personave në Hagë, duhet të jetë publike

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se çdo ndihmë financiare që i jepet të akuzuarve të Speciales nga buxheti i Kosovës, duhet të jetë publik dhe nuk përbën dokument sekret.

Miftaraj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se publikimi i dokumenteve të tilla dhe qasja në to, do iu ndihmonte personave që do jenë në Hagë në mënyrë që të kenë trajtim të barabartë.

“Një rregullore apo ligj i qeverisë i cili ka për qëllim t’iu ofrojë mbrojtje apo asistencë financiare personave që potencialisht janë të akuzuar nga Gjykata Speciale, nuk hyjnë në domenin e dokumenteve sekrete. Pra, është jashtë çdo logjike juridike që këto të konsiderohen sekrete”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se mënyra sesi është duke u trajtuar kjo çështje aktualisht, mund të konsiderohet si terr informativ dhe mundësitë për keqpërdorime janë të mëdha.

“Me mënyrën sesi është duke u bërë tani, jemi në një terr informativ ku mundësitë për keqpërdorim janë jashtëzakonisht të mëdha dhe ku personat e caktuar, mund të përfitojnë në mënyrë të pabarabartë me të tjerët”, ka deklaruar Miftaraj.

Drejtori i IKD-së ka shtuar se dokumentet sekrete janë ato dokumente që në një mënyrë apo në tjetër, mund të ndikojnë në sigurinë kombëtare apo do të ndikojnë në një procedurë apo proces gjyqësor, që lidhet me çështjen e sigurisë.

23:29

Miftaraj për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit: Afati prej 6 muajve nuk është obligativ

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se afati prej 6 muajve nga Dhomat e Specializuar, nuk është afat ligjor, kur ka folur për aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Janë bërë gjashtë muaj prej kur para Dhomave të Specializuara është paraqitur për konfirmim një aktakuzë, në të cilën si të dyshuar për krime lufte përmenden edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i Partisë Demokratike, Kadri Veseli. E premtja përbën afatin e skajshëm brenda të cilit gjyqtari i procedurës paraprake është dashur të vendosë për aktakuzën.

Por Miftaraj në Interaktiv të Kohavisionit, tha se sipas rregullave të procedurës dhe provës që miratohet nga Gjykata Speciale, e cila thotë se edhe përkundër asaj që është 6 muaj, që gjyqtari i procedurës paraprake të marrë një vendim lidhur me konfirmimin e aktakuzës, hedhjen e të njëjtës, gjykata në këtë rast nuk është e obliguar që të njoftojë qoftë presidentin qoftë palët që janë pjesë e aktakuzës, apo edhe opinionin publik.

“Nëse marrim për bazë rastin paraprak që kishim një aktakuzë të konfirmuar në muajin qershor, publikimi i saj u bë më shumë se 2 muaj pas konfirmimit. Si duket gjykata e ka ndërtuar një praktikë të tillë që të sigurohet se të gjithë personat që mund të akuzohen të kenë kohë të mjaftueshme të përgatiten për seancën fillestare, ku mund të deklarohen lidhur me fajësinë apo pafajësinë. Po flasim për një aktakuzë, nëse konfirmohet, ku sipas asaj që është thënë janë 100 viktima, atëherë edhe trupit gjykues u duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për seancën. Në anën tjetër, në bazë të Ligjit mbi Dhomat e Specializuara, nuk është e domosdoshme që aktakuza të jetë e konfirmuar në këtë kohë pasi gjyqtari i procedurës paraprake ka edhe mundësi të tjera, mund të ketë kërkuar nga prokurori edhe informata shtesë apo të plotësojë ose ndryshojë aktakuzën. Afati prej 6 muajve nuk është afat ligjor apo obligativ, që nënkupton se ky afat mund të shtyhet”, tha Miftaraj.