Arbëri

Qytetarët presin mbi 10 muaj për testin e vozitjes, 2 muaj për testin teorik

Qe 10 muaj lëvizje të pakta po ndodhin në këtë poligon.

Shkak për vonesat gati njëvjeçare të kandidatëve për patentë shoferë është bërë mungesa e ekzaminuesve, të cilëve u ka skaduar kontrata, raporton KOHA.

Kandidati për patentë shoferë, Leart Islami, ka një muaj që po pret për të hyrë në testimin teorik.

Përpos vonesave në testimin teorik, në disa raste qytetarët kanë pritur deri një vit për t’iu nënshtruar testimit praktik për leje.

I shqetësuar për këtë gjendje është shprehur edhe kryetari i Federatës së Autoshkollave, Xhemshit Cakolli.

Sipas tij, faji kryesor për këto vonesa qëndron në Ministrinë e Infrastrukturës.

Aktualisht testimet po mbahen në 6 qendra, me 1 apo 2 ekzaminues.

Këto vonesa në procesin e dhënies së lejes po u shkaktojnë dëme edhe qendrave ku bëhen pagesat për testimin teorik dhe praktik.

Procedura e marrjes së lejes u kushton në total qytetarëve rreth 300 euro.

Për këtë çështje KOHA ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Arban Abrashi, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.