Arbëri

Mjeket që trajtuan Musliun deklarojnë se ai nuk kishte folur për gjendjen shëndetësore

Në Komisionin Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit Covid-19 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, po dëshmojnë mjekja Hidajete Pireva dhe infermierja Vlora Maholli të QKMF-së në Fushë-Kosova në lidhje me rastin e vdekjes së Agon Musliut.

Hidajete Pireva, mjeke, ka treguar se si ka ndodhur ecuria deri te dërgimi i Musliut në karantinë.

“Kemi qenë me dy automjete atë ditë, sepse ka pasur më shumë udhëtarë. Rekomandimet janë dhënë në bazë të ministrisë se kush shkon në izolim, e kush në karantinë. Në atë ditë ka rastisë që nuk kemi pasur formular për ata që kanë shkuar në karantinë pasagjerët. Sipas rekomandimeve të Ministrisë, pasagjerët që janë lejuar të shkojnë në izolim kanë shkuar ata që kanë pasur dokumentacion për sëmundje kronike, pleqtë mbi 70 vjeç dhe personeli shëndetësor. Të gjithë të tjerët që nuk kanë pasur dokumentacion është dashur të shkojnë në karantinë. Nuk ka pasur përjashtime. Jemi munduar në maksimum që të mos na ikë asgjë”, tha ajo.

Ndërsa infermierja, Vlora Maholli, theksoi se gjendja e Musliut kishte qenë e mirë.

“Agoni ka ardhur drejtpërdrejt tek unë. Është dukur në rregull, e kam pyetur a ke ndonjë dokument se duhesh me u liruar nga karantina, më tha që jo, por nuk duhet të shkoj në karantinë se e kam nënën vetëm. I thashë a ki ndonjë dokument për nënën, tha jo as për të nuk kam. Asnjë lloj dokumenti nuk ka paraqitur Agoni, madje as verbalisht nuk ka deklaruar se ka ndonjë shqetësim. Babën nuk e ka përmend askund, në asnjë fjali", tha ajo.

Edhe mjekja Pireva pohoi të njëjtën duke thënë se "Agoni nuk përmendi asgjë për gjendjen e tij, veç për nënën e tij".

"Nuk ka ofruar asnjë dokument. Sikur të na kishte ofruar dokumente pse ne mos ta lirojmë nga karantina?”, shtoi Maholli.

Mjekja Hidajete Pireva, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për menaxhimin e pandemisë e ku po raportohet rreth vdekjes së Agon Musliut, ka thënë se i ndjeri kurrë nuk kishte shfaqur pakënaqësi rreth shëndetit të vet.

Sipas saj, e vetmja brengë që kishte, ishte nëna e tij.

“Çdo pacient që ka pasur dokument për sëmundje e kam liruar. Bile për Agonin e kemi të freskët rastin, i kemi thënë që nëse ki dokument se nëna jote është e sëmurë, ua ofron në karantinë. Ai shqetësim ka pasur veç për nënën, jo për veten. Po ka thënë që për nënën është duke u kujdesur vetëm një kusheri. Nëse unë e kisha liruar Agonin, kisha bo vepër penale. Babën kurrë nuk e ka përmend, bile ne jemi habitur kur i kemi pa raportimet”, tha mjekja Hidajete Pireva.

26 vjeçari, Agon Musliu, dyshohet se u hodh nga njëra ndërtesë e Qendrës së Studentëve, një ditë pas kthimit nga Gjermania gjatë pandemisë COVID-19.