Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Besim Beqaj ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet rreth privatizimit të KEDS-it.
Ai thotë se arsyetimi i Beqajt për mos përgjigje konkrete ishte se është në proces gjyqësor.
“Kjo është faza e dytë e hetimeve të Komisionit. Sot ishte Beqaj e kishte radhën. Beqaj nuk ishte bashkëpunues sa duhet sepse përgjigjet i kishte të përgjithshme dhe jo shumë konkrete sepse pyetjet ishin shumë konkrete”, ka thënë ai.
"Ndërsa në lidhje me pyetjet për privatizimin e KEDS-it ai e përdori një arsyetim që sipas meje është i paqëndrueshëm, por kjo mbetet të shqyrtohet në zyrën Ligjore të Kuvendit. Shumë shpejt do ta procedojë këtë kërkesë për interpretim ligjor nëse ai kishte të drejtë të refuzonte mbi atë bazë që refuzoi”, ka thënë Çeku.
Çeku ka treguar se, “ai (Beqaj) tha se ekziston një proces gjyqësor që është ngritur kundër tij dhe të tjerëve në lidhje me një segment të privatizimit të KEDS-it”.
Ai ka sqaruar se kjo është në lidhje me faljen e hidrocentraleve, si pjesë e kontratës për privatizimin e KEDS-it.
“Ajo aktakuzë merret vetëm me çështjen hidrocentraleve që ka qenë pjesë e marrëveshjes për privatizimin e KEDS-it. Ndërsa pyetjet e anëtarëve të Komisionit ishin për privatizimin e KEDS-it e jo për hidrocentralit”, ka thënë Çeku.
Shumë shpejt sipas tij do të ketë një opinion ligjor të Kuvendit për refuzimin për t’u përgjigjur.