Arbëri

Rama thërret kompanitë gjermane të investojnë: Shqipëria, vendi më i sigurt në Evropë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Gjermani ka kërkuar nga investitorët e huaj që të vijnë në Shqipëri për të investuar. Në forumin ekonomik “Europa Park”në Munih të Gjermanisë, shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi të gjitha politikat lehtësuese në Shqipëri për investitorët gjerman, pa harrur edhe fondin e akorduar nga KE për investimet në rajon.

Rama ka folur për një investim prej 28 miliardë euro për energji, infrastrukturë dhe digjitalizim. Ai u ka bërë thirrje kompanive evropiane që të ndihmojnë për të zbatuar këtë plan, duke shtuar se Shqipëria ka një legjislacion favorizues, krah të lirë pune dhe pozicion strategjik gjeografik.

“Shqipëria ka një politikë shumë të mirë për investimet e huaja. Burimet natyrore janë mjaft të favorshme. Kostot e punës janë mjaft të favorshme. KE premtoi 28 mld euro investime në rajon në energji, infrastrukturë dhe digjitalizim. Mundësi mjaft e mirë për të investuar për të ndërtuar autostrada dhe hekurudha. Shpresojmë që të gjejmë mënyra me qeverinë dhe kompanitë gjermane për të zbatuar këtë plan. Jemi të bindur se ne ofrojmë një mjedis të mirë për kompanitë që duan të jenë të pranishme me linjat e tyre të prodhimit për shkak të kostos së punës, për shkak të krahut të ri të punës, për shkak sepse njerëzit janë mjaft të aftë edhe me gjuhët e huaja. Është shumë interesante të shohësh kompanitë gjermane, nuk kemi shumë por kemi disa prej tyre. Sjellja e njerëzve është shumë e mirë dhe kompanitë gjermane janë shumë të kënaqura me këta njerëz dhe e ndiejnë sikur punojnë në Gjermani praktikisht, nën një drejtim që ka kulturën e punës e cila është mjaft e respektueshme dhe me standarde”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare gjatë fjalës së tij në forum tha se nuk ka krim shqiptar, por këto janë vetëm politika dashakeqëse të disa shteteve anëtare të BE. Sipas tij Shqipëria është një vend i sigurt për të investuar.

“Kur bullgarët donin të hynin në BE mendoni se ato do t’i vrisnin. Kur donin të hynin rumunët, mendonin se do përplaseshin me lejlekë. Krimi i organizuar është ndërkombëtar, jo vetëm shqiptar. Nuk ka vetëm një person kriminel shqiptar që nuk ka të paktën 4 kode numrash, në Gjermani, Hollandë, etj. Si është e mundur që shërbimet sekrete në BE nuk i ndajnë këto të dhëna. Shqiptarët në Holandë janë bërë gjëja më e keqe. Kjo është e mirë për politikën por nuk është e vërtetë. Ejani vizitoni Shqipërinë, është larg 1 orë e ca minuta, për të huajt është vendi më i sigurt në Evropë”, tha ai.

Madje, sipas Ramës, problemet e brendshme të Europës kanë bërë “kurban” edhe integrimin e Shqipërisë.

“Të vritesh nga rrjetet sociale dhe nga gazetat nuk mendoj se është burimi për të projektuar të ardhmen. Ne jemi të dashuruar verbërisht me BE. Evropa thotë se do të martohet me ne, po a mund të martohesh me dike që nuk flet. Si mund të martohesh me dikë që nuk i flet. Negociatat janë shumë të rëndësishme për t’u anëtarësuar, por t’i provosh vendet nga kjo është e pakuptimtë”, theksoi Edi Rama.

Për të argumentuar arsyetimin e tij Rama zbuloi edhe një pjesë të diskutimeve të bëra më herët me Presidentin francez Macron.

“Macron më ka përsëritur shpesh që nëse biem dakord për çeljen e negociatave me Shqipërinë kjo nuk do jetë e lehtë për shkak të Marinë le Pen. Problemet e brendshme të tyre po na mbajnë peng integrimin e Shqipërisë. Por nuk e thonë publikisht. I thashë Macron përse nuk e thoni, ‘djema ne ju duam, na pëlqeni por duhet të lyejmë shtëpinë njëherë’”, tha kryeministri Rama.

Në fund të fjalës së tij Rama kishte edhe një thirrje për BE, që të gjejnë një mënyrë që t’i hapin rrugën Shqipërisë për të shkuar drejt konferencës së parë ndërqeveritare.

“Pozicioni ynë është shumë i çuditshëm. Ne jemi të dashuruar me një dashuri të verbër për Evropën. Por si mund të martohemi kur Evropa nuk na flet. Negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona. Anëtarësimi do të vijë për pasojë të saj por negociata është çka është reale për ne. T’i privosh vendet nga ky instrument është pa kuptim”, deklaroi Rama.