Arbëri

Zemaj: Janë trefishuar kapacitetet testuese për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në takim me Bordin këshillëdhënës për COVID 19, ka thënë se janë trefishuar kapacitetet testuese për COVID-19.

Ai ka thënë se duhet të vazhdohet me këtë nivel të punës dhe kujdesit.

“Falë kontributit të përbashkët dhe kapaciteteve institucionale e kemi një situatë të qetë dhe të menaxhueshme me një numër të ulët të rasteve me COVID krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë. Duhet të vazhdojmë me këtë nivel të punës dhe shtimit të kujdesit”, është shprehur ai.

Zemaj ka bërë një rikapitulim të situatës.

“Hapja ka qenë e shpejtë. Aktualisht qëndrojmë mirë në kërkesën për zbatimin e masave. Rritja e kapaciteteve testuese. Pavarësisht uljes, ne kemi rrit testimet dhe sot iu kemi ofruar shifrave më të larta të testimeve. Janë trefishuar kapacitetet testuese dhe në fund të muajit janë siguruar 7 pajisje PCR që do shërbejnë të ndara për qendrat rajonale”, ka thënë Zemaj gjatë takimit me Bordin këshilldhënës për COVID-19.

Sipas tij ky është avantazh për përgatitjen e spitalit COVID.

“Është shtuar kapaciteti në mjekësinë sportive edhe pse nuk ka shumë pacientë. Kam biseduar me profesionistët shëndetësorë dhe po mbajmë komunikime të vazhdueshme për masat që do ta na presin”, ka thënë Zemaj.

Ai ka kërkuar që të marrë më tepër informacione rreth menaxhimit të kufijve.

“E kam edhe një kërkesë prej juve që t’i marr opinionet lidhur me menaxhimin e kufijve sepse disa vende të rajonit por edhe evropiane janë në listë të kuqe nga ECDC. Dy, tre javët e kaluara kemi parë mos respektim të masave dhe janë aktivizuar 75 inspektorë, kështu që është një punë voluminoze që bashkë me partnerët ndërkombëtarë ta mbajmë situatën nën kontroll. Lajm i mirë është se nuk kemi rritje të pacientëve në spitale por duhet të jemi të përgatitur ndaj kësaj situate”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa kryesuesi i Bordit, Lul Raka, ka deklaruar se njëra prej pikëve më të rëndësishme është transparenca e punës së bordit.

"Sa i përket rekomandimeve të bordit janë dhënë 78 rekomandime dhe prej tyre 90 për qind janë zbatuar dhe pjesa tjetër janë në proces. Ka qenë rekomandim të mbahen testet në shkolla, ku i maturës është mbajtur, ndërsa testimi arritshmërisë jo. Rekomandim ka qenë falja e Bajramit por nuk është mbajtur. Është domethënës fakti që janë zbatuar në praktikë 90 për qind e rekomandimeve që kanë qenë esenciale për parandalimin e rasteve. Në draftimin e këtyre rekomandimeve kanë marrë pjesë ekspertë vendorë por edhe ndërkombëtarë", ka thënë Raka.

Pas këtyre deklarimeve hyrëse mbledhja është duke vazhduar e mbyllur.