Serbia dhe serbët në Kosovë që prej vitit 2001 kanë treguar tendenca për themelimin e një asociacioni që do të përfaqësonte komunitetin e tyre dhe jo komunat.
Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në Express intervistën në KTV, tha se më 2002 ishte krijuar një union i komunave serbe. Dhe, nga atëherë ende po insistohet në themelimin e një asociacioni që nuk ka bazë as në Ligjin për qeverisje lokale, as në Ligjin për organizata joqeveritare e as ne Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisjen. Për më tepër, 23 pika të Marrëveshjes kornizë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, janë hedhur poshtë nga Kushtetuesja.
Ibrahimi tha se AKK-ja do të mirëpriste një asociacion tjetër që do të përfaqësonte komunat dhe jo një komunitet.
Por, në rast se Asociacioni që po e kërkojnë serbët do të ishte i një natyre tjetër, atëherë thotë se nuk e di si do të ishte bashkëpunimi.
“Ne jemi themeluar më 2001, kemi statusin juridik si një OJQ dhe ashtu kemi mbetur, nuk kemi asnjë kompetencë ekzekutive. Statuti jonë është i bazuar Ligjin për qeverisje lokale, në Ligjin për organizata joqeveritare dhe në Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisjen. Nëse do të themelohej Asociacioni do të duhej të ishte OJQ, që do të kontribuonte për komunat, jo për një komunitet, do të duhej t’i mbrojë interesat e komunave karshi nivelit qendror. Shpresoj që zotimi i kryeministrit Hoti të mbetet, se nuk do të shkohet përtej asaj që parasheh Kushtetuta. Ka pasur tendenca prej vitit 2001 për themelimin e një asociacioni të tillë nga serbët. Më 2002 u pat krijuar njëlloj unioni i komunave serbe, gjithmonë është kërkuar t’i mbrojë interesat e një komuniteti, e jo te komunave”, ka thënë Ibrahimi.
Ai thotë se aktgjykimi i Kushtetueses për Marrëveshjen kornizë për Asociacionin duhet të respektohet plotësisht.
Ibrahimi ka treguar edhe përpjekjet e organizatës ku është drejtor për të inkuadruar katër komunat veriore me shumicë serbe.
“Më 2002 4 komunat serbe ne veri janë tërhequr nga AKK-ja, deri më sot nuk kemi ndonjë bashkëpunim, por ndryshe është me 6 komunat serbe në pjesët tjera të Kosovës. Kemi bashkëpunim, paguajnë anëtarësi”, ka thënë ai.
Ibrahimi thotë se roli kryesor i Asociacionit është lobimi në të mirë të komunave.
“Ne si asociacion s’kemi asnjë kompetencë, lobojmë, bashkëpunojmë mes komunave, lobojmë të kemi decentralizim, më shumë financa, por si AKK nuk kemi asnjë kompetencë ekzekutive, nuk mund të marrim vendim për asnjë fushë. Ne jemi partner, ne kuptimin që japim vërejtje, bëjmë lobime dhe me pas ato mundohemi t’i fusin në ligjet e Kosovës”, është shprehur Ibrahimi.
Ai ka thënë se një vend mund t’i ketë dy e tri asociacione, por asnjë me kompetenca ekzekutive bë çfarë po insistojnë serbët. Të tilla asociacione, thotë se nuk ka në asnjë vend të Evropës Juglindore.