Rreth 8 mijë e 300 nxënës të shkollave të mesme në të gjithë Kosovën i janë nënshtruar Testit të Maturës. Këtë të shtunë, në 84 qendra të testimit në Kosovë, është mbajtur afati i dytë.
Në gjimnazin “Sami Frashëri”, në këtë afat, testit të maturës shtetërore i janë nënshtruar 77 nxënës, raporton KOHA.
Drejtori i këtij gjimnazi, Fetah Fejzullahu, ka thënë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit.
“Siç e dini sot pjesa e dytë e testit të maturës mbahet në Republikën e Kosovës. Në gjimnazin “Sami Frashëri”, 77 nxënës i nënshtrohen testit. Në orën 10 ka filluar shpërndarja e testeve, tash të shohim mbarëvajtjen. Nga fillimi i procesit mësimore përgatitjet kanë qenë të gjitha, kështu që ne vetëm i kemi pasur listat, i kemi përgatitur klasat, ku mbi 11 vet nuk janë nëpër klasë, mjetet dezinfektuese janë dhe vetëm i urojmë sukses”, tha Fejzullahu.
Derisa ministri i Arsimit, Ramë Likaj, përmes një statusi në Facebook, duke falënderuar të gjithë personelin e angazhuar për mbarëvajtjen e testimit, ka treguar se ka vizituar disa shkolla në Komunën e Prizrenit dhe të Suharekës, për të parë nga afër testimin.
Ndërkohë sipas një njoftimi të Ministrisë së Arsimit, gjithçka ka përfunduar me sukses.
Rezultatet e këtij testi do të bëhen publike më 16 tetor 2020, ndërsa nga data 19 deri më 21 tetor do të jetë afati i ankesave.
Ndryshe nga herët e kaluara, në këtë afat nuk është raportuar për ndonjë parregullsi, apo për shpërndarje të testit në rrjete sociale.
Ndërkohë që sipas Komisionit Shtetëror të Maturës në këtë proces janë angazhuar 252 komisarë, 900 administrues dhe 84 mbikëqyrës.