Arbëri

Tre të vdekur e 49 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit në Kosovë, janë shënuar tri vdekje si pasojë e koronavirusit, kurse raste të reja pozitive janë 49, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publilke të mërkurën.

IKSHPK-ja njoftoi se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratorët privatë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 509 mostra të marra nga ShSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Brenda 24 orëve janë raportuar tri raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv (1 rast nga Klinika Infektive - QKUK, 1 rast nga spitali rajonal Gjilan dhe 1 rast nga spitali rajonal Prizren).

Numri total i rasteve pozitive është 15.938 nga 71.865 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 638 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 92 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 14.143 raste. Numri i rasteve aktive është 1.157.

Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 22 raste, Gjakovë 5 raste, Ferizaj 3 raste, Klinë 3 raste, Fushë-Kosovë 2 raste, Lipjan 2 raste, Rahovec 2 raste dhe me nga një rast në Deçan, Dragash, Gjilan, Kaçanik, Malishevë, Pejë, Podujevë, Shtime, Skënderaj dhe Vushtrri.