Arbëri

Haxhiu: Në një shtet normal, edhe Selimi do të duhej të jepte dorëheqje

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kritikuar ministrin e Drejtësisë, Selim Selimin, se ka mbajtur në detyrë këshilltarin politik, Enis Qerka, edhe pse u arrestua nën dyshimin për narkotikë. Sipas saj, po të mos kishin raportuar mediat, në këtë rast KOHA Ditore, Selimi s’do ta largonte nga detyra.

Sipas Haxhiut, në një shtet normal, edhe Selimi do të duhej të jepte dorëheqje.

“Në gazetën Koha Ditore sot u raportua që i arrestuari për 113 kg drogë, është bërë këshilltar i jashtëm i Ministrit të Drejtësisë, z.Selim Selimi. Për këtë në secilin shtet normal, Ministri do të duhej të jepte dorëheqje. Sot, Ministri që këshillohej nga ai që ishte zënë me 113 kg drogë, paska thënë që pas raportimit në medie e ka liruar nga detyra këshilltarin. Pra meqë mediat paskan raportuar se përndryshe as nuk do të bëhej fjalë për lirimin e tij. Si ka mundësi që vendos nënshkrimin për një këshilltar që nuk e di se kush është? Në faqen e Ministrisë së Drejtësisë janë vendimet për këshilltarët tjerë por jo edhe për këtë. Kjo vërteton që Ministri e ka ditur por nuk u thotë JO atyre që e kanë vendosur në krye të Ministrisë!”, shkroi Haxhiu në Facebook.

KOHA sot ka raportuar se i arrestuari nën dyshimin se është kapur me 113 kilogramë drogë, Enis Qerka, është emëruar këshilltar i jashtëm politik i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi. Vendimin për emërimin e tij Ministria e Drejtësisë nuk e ka bërë publik sikurse për këshilltarët e tjerë të ministrit. Pas këtij lajmi, Selimi e liroi nga detyra Qerkën.