Mbi 1600 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur që nga lufta në Kosovë. Një familje nga Mitrovica së fundmi ka qenë në gjendje ta varrosë babanë
Më 24 mars të vitit 1999, kur NATO-ja nisi ofensivën kundër Jugosllavisë së atëhershme për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë, trupat serbe u përgjigjën me sulme edhe më të ashpra ndaj popullatës civile shqiptare. Ndër të tjera, në shënjestër veçanërisht ishin njerëzit publikë.
Kryetari i Sindikatave të Kosovës, Agim Hajrizi, si shembull, u qëllua për vdekje nga paramilitarët serbë në natën e 25 marsit së bashku me nënën e tij dhe djalin e tij 11-vjeçar. Ai u qëllua në shtëpinë e tij në Mitrovicë. Vetëm gruaja e Hajrizit i shpëtoi sulmit.
Më tepër se 1600 të zhdukur
Në atë kohë në Mitrovicë ishte edhe Vehbi Zasella tek të afërmit e tij në jug të qytetit. Edhe pse situata ishte jashtëzakonisht e tensionuar, 72-vjeçari shpejt u ndje i sigurt për t’u kthyer në shtëpinë e tij. Ashtu si qindra e mijëra shqiptarë në Kosovë, Zasella dhe familja e tij ishin dëbuar nga forcat serbe nga shtëpitë e tyre disa javë më herët.
Në ditën e shtatë që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s, më 31 mars, Zasella më nuk mundi të përmbahej dhe shkoi të kontrollonte gjërat në shtëpi. Kush do të mund të lëndonte një plak? Ishte hera e fundit, që familja e tij e pa.
Që nga atëherë, Vehbi Zasella ishte një nga rreth 4500 personat që u zhdukën gjatë luftës në Kosovë. Nuk ka asnjë gjurmë për mbi 1600 të zhdukur. Familja Zasella do të mësonte më vonë nga fqinjët se Vehbiu ishte pushkatuar. Kufoma kishte qëndruar për disa ditë në rrugë, pastaj serbët e morën atë. Se ku e dërguan, nuk dinte askush.

Identifikimi nëpërmjet ADN-së
Pas gati 24 vjetëve, kjo paqartësi mori fund.
“Dje na thirrën na treguan se është identifikuar babai im”, tregon Faik Zasella, dukshëm i prekur, ndërsa po qëndronte në një kafene jo shumë larg urës ikonike mbi Ibër.
63-vjeçari ka jetuar në Britani të Madhe që nga fundi i viteve ‘80. Në Mitrovicë ai ishte për ta vizituar familjen.
Mbetjet mortore të babait të tij u gjetën në varrezat e vjetra myslimane në veri të qytetit dhe u identifikuan përmes krahasimit të ADN-së, thotë Zasella. Varrezat mezi ruhen më, pasi në veri jetojnë thuajse vetëm serbët, pra ortodoksët.
Mitrovica sot është një qytet i ndarë etnikisht. Askund nuk është më evidente kjo përçarje e thellë mes dy grupeve të popullsisë, sesa në këtë vend. Kjo përçarje sërish solli tensione në fund të vitit të kaluar.
Ndonëse ura është e lehtë për t’u kaluar, shumë banorë nuk kanë shkelur përtej lumit prej vitesh.
Faik Zasella, që ende flet rrjedhshëm serbisht nga koha e ish-Jugosllavisë kur e mësoi, thotë se nuk ka qenë në veri të Mitrovicës që nga lufta.

Zbulim i rastësishëm te varrezat
Sipas Zasellës, eshtrat e babait të tij u gjetën rastësisht. Një shqiptar i kishte premtuar nënës se do ta varroste në veri, ku ajo kishte jetuar deri në luftë. Kur u hap varri, u zbuluan eshtrat e dy personave, përfshirë ato të babait të Faikut, Vehbiut. Ai ishte varrosur atje.
“Shqetësimi im më i madh ishte se trupi i tij gjendet diku në fund të lumit”, thotë Zasella.
Për t’i fshehur krimet ndaj popullatës shqiptare, trupat serbe pas fillimit të sulmeve të NATO-s sollën në territorin e Serbisë mbi 1000 kufoma dhe i varrosën në varre masive.
“Asnjë kufomë – asnjë krim”, thuhej në shënimin famëkeq të Ministrisë së Brendshme në Beograd.
Dy vjet më parë, eshtrat e dhjetëra viktimave u gjetën në një varr masiv afër Rudnicë, pikërisht në kufirin kosovaro-serb. Por, edhe në Danub dhe në vende të tjera ujore, u shfaqën kamionë frigoriferë me kufoma.
“Më vjen shumë mirë që babai im nuk ishte në një nga ato makina”, thotë Zasella.
Kërkimi i personave të zhdukur është detyrë humanitare
Paqartësia për fatin e një të afërmi të zhdukur është barrë e madhe për familjet. Procesi i pikëllimit bëhet edhe më i vështirë. Disa nuk mund ta pranojnë vdekjen e të dashurit të tyre, derisa ta shohin trupin e tij.
Në Çeçeni, si shembull, familjet ende mbahen me thashetheme për burgjet sekrete ruse ku mbahen rebelët e zhdukur.
Kërkimi i personave të zhdukur dhe identifikimi i kufomave është një detyrë humanitare. Organizata të tilla si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq drejtojnë programe të mëdha në këtë fushë. Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) madje merret ekskluzivisht me këtë çështje.
Organizata ofron kryesisht mbështetje teknike. ICMP ka kryer krahasimin e ADN-së që çoi në identifikimin e Vehbi Zasellës.
Gjitha hapat e mëtejshëm janë përgjegjësi e autoritetit kombëtar përkatës, shpjegon organizata.
Kjo përfshin edhe hetimin penal.
“Nuk besoj se do të gjenden ndonjëherë vrasësit e babait tim”, thotë Faik Zasella. “Por, sigurisht se dua që të gjenden ata”.
Nëse autorët e kuptojnë përgjegjësinë, atëherë është i mundur pajtimi.
“Nuk ka asnjë arsye pse nuk mund të shkojmë mirë në të ardhmen”, thotë Faik Zasella.
Natyrisht se ballafaqimi me konfliktet do të thotë gjithashtu se nuk ka pasur vetëm autorë serbë e viktima shqiptare.
Pas tërheqjes së ushtrisë jugosllave nga Kosova, pati akte brutale të hakmarrjes edhe ndaj popullatës civile serbe.
Varrimi në Varrezat e Dëshmorëve
Faik Zasella dhe familja e tij tashmë mund të bëjnë një vijë. Një ditë pas takimit ai udhëton me vëllezërit e tij për në morgun e Prishtinës.
“Xhaketa dhe shalli i babait tim ishin në gjendje të mirë. Ngjyrat ishin të zbehura, por prapë mund të shihje gjithçka qartë”, tregon ai në telefon.
Vehbi Zasella u varros në të njëjtën ditë, 23 vjet e 9 ditë pas vrasjes së tij. Trupi i tij tash pushon në varrezat e mëdha në pjesën jugore të Mitrovicës, në pjesën e rezervuar për dëshmorët.
“Nuk duhet të ketë më makthe”, thotë Faik Zasella.
Marrë nga Neue Zurcher Zeitung, përktheu Shkumbin Sekiraqa