Arbëri

SHBA-ja s’vendos afat për përfundimin e dialogut Kosovë – Serbi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, nuk ka pranuar të japë afate se kur duhet të përfundojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një tryezë online me gazetarë kosovarë, organizuar nga Ambasada amerikane, të enjten, Kosnett ka thënë se SHBA-ja do të “mbajë fleksibilitet dhe jo të krijojmë afate artificiale për secilin hap”.

Ambasadori amerikan foli edhe për marrëveshjen e arritur në Washington, dhe tha se do të duhet kohë për të parë progresin në zbatimin e saj. Sipas tij, moratoriumi njëvjeçar i dakorduar për kërkimin e njohjeve të Kosovës nga organizata ndërkombëtare, bashkë me moratoriumin në lobimin, përkundër pavarësisë së Kosovës, që Serbia është zotuar se do ta zbatojë, duhet të shërbejnë për t’i dhënë kohë zbatimit të aspekteve ekonomike të marrëveshjes, raporton KOHA.

“Brenda minutave pasi nisi takimi në Shtëpinë e Bardhë, kishte njerëz që thoshin se ‘amerikanët duan vetëm një fotografi në Shtëpi të Bardhë për qëllime të brendshme politike dhe nuk do të shohim një vazhdimësi për këtë, administrata do ta harrojë gjithë këtë’. Dhe pastaj, brenda shumë pak kohe, e patë një delegacion shumë të lartë të udhëhequr nga kolegu im, ambasadori Grenell, dhe kreu i Korporatës për Financim të Zhvillimin dhe që përfshinte shumë agjenci të tjera të SHBA-së”, tha Kosnett, duke numëruar agjencitë e përfaqësuara në delegacionin amerikan që para një jave vizitoi Prishtinën dhe më pas Beogradin. Ata, shtoi Kosnett, “erdhën në Kosovë, erdhën në Serbi, për t’u ulur me ministra, dhe të tjerë, dhe thanë ok – jemi seriozë, duam t’ju përkrahim të arrihet progres i vërtetë këtu, por këtë nuk mund ta bëjmë për ju, ju duhet të lëvizni përpara në këtë”.

Kosnett tutje u shpreh se çështja e agjendës së dialogut mes dy shteteve i takon Bashkimit Evropian. Ai ka shprehur edhe një herë pozicionin e SHBA-së se procesi udhëhiqet nga BE-ja dhe se SHBA-ja është mbështetëse e procesit.

Kosnett e ka përsëritur pozicionin që SHBA-ja e ka ndaj çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se “ne e shohim se qëllimi përfundimtar i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është marrëdhënie plotësisht normale, jo vetëm marrëdhënie ekonomike, por edhe ato politike”.

“Ky duhet të jetë synimi”, tha Kosnett. “Por, nuk ndihmon nëse unë spekuloj se çfarë ndodh më 4 shtator 2021”, shtoi ai, duke iu referuar datës kur afati njëvjeçar i moratoriumit për njohje dhe për lobim kundër pavarësisë do të skadojë. Atëherë, sipas tij, nëse qeveritë e dy vendeve janë serioze, dhe kemi progres në zbatimin e marrëveshjes, si dhe arrihet progres në dyshen politike në dialogun e udhëhequr nga BE-ja, Kosnett tha se mund të jemi në një pozicion shumë të mirë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e shtruara, ambasadori Kosnett tha se edhe në rast se ndryshon Qeveria në Kosovë apo në Serbi, normat ndërkombëtare parashohin që obligimet e ndërmarra nga një qeveri merren përsipër edhe nga qeveria pasuese.