Arbëri

​Likaj thotë se situata me pandeminë në shkolla është nën kontroll

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka thënë se situata me pandeminë nëpër shkolla është nën kontroll, ani pse ka pasur raste pozitive me koronavirus, si në mesin e mësimdhënësve ashtu edhe të nxënësve, në disa shkolla.

Ai tha se në ato shkolla ku ka pasur raste pozitive e kanë vazhduar mësimin online, derisa theksoi se nuk presin rritje të rasteve me COVID brenda shkollave.

“Ka disa raste ku janë diagnostikuar edhe mësimdhënësit edhe nxënësit nga IKSHPK, natyrisht ne i kemi skenarët e përgatitur dhe varësisht prej situatës që ka qenë me pandeminë janë rekomanduar edhe skenarët, disa prej shkollave kanë kaluar në mësimin online për 14 ditë. Gjendja e tyre është duke u vëzhguar nga stafi mjekësor i komunave përkatëse, njëkohësisht edhe IKSHPK është vazhdimisht duke e observuar dhe gjithçka momentalisht është nën kontroll. Ne nuk shpresojmë se do të kemi rritje të rasteve, kemi pasur një mbarëvajtje shumë të mirë të procesit mësimor, i kemi edhe dy ditë që parashihen pak a shumë më të vështira, në qoftë se edhe këto dy ditë, do të thotë sot dhe nesër i kalojmë me sukses atëherë besojmë që kemi një fillim shumë të mbarë të vitit shkollor”, tha ai.

Këto komente ministri Likaj i bëri me rastin ku Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Volontari nel Mondo-RTM “Aleanca Për Zhvillimin e Edukimit Parashkollor në Kosovë” nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi. Marrëveshja synon rritjen e cilësisë së shërbimeve edukative të ofruara nga kopshtet publike, private dhe ato me bazë në komunitet në Kosovë.

Ky projekt mbështet zbatimin e Planit Strategjik për Sektorin e Arsimit në Kosovë, në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, tha se ky projekt do të jetë tre vjeçar dhe që kap vlerën e rreth 1 milionë eurove.

“Një arsim dhe edukim i hershëm i këtyre fëmijëve dhe përfshirja e tyre në çerdhe, kopshte dhe shkolla parafillore ndikon jo vetëm në zhvillimin dhe karrierën e tyre, por njëkohësisht edhe në sjelljen tyre në shoqëri. Si Qeveri e Kosovës e kemi një prej prioriteteve arsimin parashkollor, por deri më tash nuk kemi bërë mjaftueshëm për me e përkrahë këtë sistem të arsimit dhe përkundër shkurtimeve buxhetore të cilat i kemi edhe si Qeveri jemi duke bërë të pamundur për të rritur përfshirjen e fëmijëve në arsimin parashkollor meqenëse e kemi një prej më të ulëtëve në Evropë. Projekti për të cilin po flasim është tre vjeçar dhe kap vlerën e rreth 1 milionë euro dhe është i bazuar në tri komponenta”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i Italisë në Kosovë Nicola Orlando, tha se ky projekt është një investim për të ardhmen e Kosovës dhe një investim për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Italisë.

“Ka të bëjë me fëmijët në sistemin arsimor parashkollor, kur dihet që kapitali më i madh i një vendi janë fëmijët e tij, janë brezat e rinj që vijnë, kështu që një investim në këtë aspekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është një investim për të ardhmen e Kosovës, një investim edhe për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona. Agjenica Italiane për Bashkëpunim Ndërkombëtar gjithmonë për Kosovën e ka ruajtur një vend të veçantë dhe pikërisht sot kthehet me këtë projekt që është një investim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Është shumë e rëndësishme që OJQ RTM që bënë pjesë në shoqërinë civile të ketë një kontakt të ngushtë me shoqërinë civile në Kosovë dhe t’iu sjell fëmijëve një projekt i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e tyre”, tha ai.

Koordinatorja e “Volontari nel Mondo”, Federica Arezzi, tregoi se cilat janë shtyllat e projektit, derisa theksoi se është një projekt i rëndësishëm sepse fëmijët i sheh si subjekte që kanë të drejtë për të ardhmen e tyre.

“Është një projekt shumë i rëndësishëm sepse fëmijët i sheh si subjekte që kanë të drejtë për të ardhmen e tyre për zhvillimin e tyre. Shtyllat e projektit janë tri, e para është rritja e kompetencave, shkëmbimi i përvojave, kursit të trajnimit, qoftë edhe në distancë, furnizimi me material pedagogjik, didaktik dhe gjithashtu edhe krijimi i një programi informativ për fëmijë në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit. Shtylla e dytë pra ofron asistencë teknike dhe financiare 15 shkollave, në mënyrë që të zhvillojnë pilot projekte edukative, të frymëzuara nga qasja e Reggio Emilia lidhur me disa tema që e përbëjnë bazën e qasjes. Hapësira edukuese konsiderohet si edukuesi i tretë, pra që të jenë hapësirat e duhura për formimin e këtyre fëmijëve. Shtylla e katërt është ajo që një projekt për trajnimin e stafit të drejtorëve të shkollave”, tha ajo.

Përmes implementimit të këtij projekti PEDAKOS, vë në dispozicion për Kosovën një përsosmëri italiane të njohur globalisht në sektorin e arsimit: Reggio Emilia Approach (REA), e cila është një qasje arsimore e lindur dhe zhvilluar në kopshtet e Reggio Emilias në Itali, në të cilën sot më shumë se 35 vende të botës frymëzohen dhe e praktikojnë këtë qasje.