Arbëri

‘Ndarja’ e komunitetit mysliman në Kosovë

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, të cilin e ka miratuar Qeveria e Kosovës më 21 shtator të këtij viti, në parim është mirëpritur nga bashkësitë fetare, për shkak se ky projektligj synon të rregullojë statusin juridik të tyre. Por, përfshirja në projektligj e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës (BTK) si bashkësi e gjashtë fetare, në radhën e bashkësive që përbëjnë trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit, ka ringjallur debatet dhe polemikat e hershme ndërmjet përfaqësuesve të kësaj bashkësie dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Kjo e fundit, me kushtetutën e saj i konsideron tarikatet si pjesë e komunitetit mysliman dhe rrjedhimisht pjesë të Bashkësisë Islame të Kosovës. Futjen në projektligj të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, si të ndarë nga Bashkësia Islame e Kosovës po konsiderohet si ndërhyrje dhe shkelje në autonominë e BIK-ut.

Ligji për lirinë fetare, i cili është miratuar në vitin 2006, i njeh pesë bashkësi fetare në Kosovë: Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Bashkësinë e Besimit Hebre dhe Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës. Megjithatë, ky ligj nuk ka specifikuar rregullimin e statusit juridik të bashkësive fetare.

Kontesti që “ndan” BIK-un dhe BTK-në

Vedat Sahiti, këshilltar i kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e ligjit që rregullon statusin juridik të bashkësive fetare, e ka vështirësuar funksionimin normal të institucioneve dhe organeve të bashkësisë dhe në parim kanë mirëpritur projektligjin e Qeverisë së Kosovës.

Por, sipas tij, BIK-u i ka dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e veta lidhur me hartimin e projektligjit, në takimet me Zyrën Ligjore të Kryeministrit. Vërejtjet kryesore nga BIK-u, sipas tij, kanë qenë që me rastin e regjistrimit të bashkësive të reja fetare, numri i domosdoshëm për regjistrimin e një bashkësie fetare të jetë 5 mijë pjesëtarë dhe jo 50, siç ishte propozuar më herët. Po ashtu, siç thotë Sahiti, BIK-u ka kërkuar që Bashkësia e Tarikateve të Kosovës të mos regjistrohet si bashkësi fetare e veçantë.

“Tarikatet janë pjesë përbërëse e komunitetit mysliman dhe e Bashkësisë Islame (të Kosovës). Me aktin më të lartë, më Kushtetutën e BIK-ut ata janë pjesë përbërëse e saj. Ne akoma nuk kemi marrë asnjë vendim që ato (tarikatet) nuk janë pjesë e jona dhe konsiderojmë që ndarja e tyre është ndërhyrje në autonominë e organizimit fetar që garantohet edhe me ligjin aktual, i cili është i miratuar, se bashkësitë fetare gëzojnë të drejtën e autonomisë në organizimin e brendshëm”, theksoi Sahiti.

Ai shtoi se BIK-u mbështetet në parimin e bashkimit dhe unitetit fetar, “që është një prej parimeve bazë të besimit islam dhe të gjitha besimeve universale” dhe se njohja me ligj e tarikateve si bashkësi fetare e veçantë, çon në përçarje.

BTK: Bashkësia Islame na ka përzënë më 1951

Por, Lulzim Shehu, sekretar i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkësia fetare që përfaqëson ai daton që moti. Sipas tij, që në vitin 1951, Bashkësia e së Radhëve të Dervishëve Islam Alije, që sipas tij, është pararendëse e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, ishte përjashtuar nga Bashkësia e Fesë Islame të Jugosllavisë (BFIJ), në kohën kur Bashkësia Islame e Kosovës nuk kishte ekzistuar, por vetëm ajo e Serbisë. Në vitin 1974, siç thotë ai, kjo bashkësi fetare ishte regjistruar në Kosovë, si subjekt juridik i veçantë, ndërkaq, që nga viti 1999, pas luftës në Kosovës, bashkësitë fetare më nuk kanë gëzuar status juridik as me ligj.

“Do të thotë, ne nuk po ndahem nga Bashkësia Islame, por jemi të përzënë më 1951. Ne nuk jemi me ta tash e 70 vjet, jo me dëshirën tonë, por me dëshirën e tyre. Ka kontestim, ata (BIK-u) edhe sot, në takimet që i bëjnë, e kontestojnë, por neve kjo nuk na mërzitë sepse Bashkësia Islame nuk është bashkësi që i ruan traditat e veta", tha Shehu.

"Për shembull, nëpër xhamitë tona më nuk është rituali si janë falur baballarët dhe gjyshërit tanë. Kjo bashkësi është identifikuar me Kosovën me një statut ose kushtetutë të veten në vitin 1993. Ne, në këtë aspekt, juridikisht jemi shumë më të vjetër se Bashkësia Islame. Ata dëshirojnë monopol mbi interpretimin fetar”, theksoi Shehu.

Hasani: Shprehja dhe manifestimi i të drejtës fetare, të garantuara me Kushtetutë

Bashkësia e Tarikateve të Kosovës, sipas Shehut, është organizëm ombrellë që i përfaqëson dervishët dhe tarikatet e tyre. Në Kosovës, siç thotë ai, ekzistojnë 9 tarikate: Kaderi, Rifai, Saadi, Shazeli, Nakshibendi, Sinani, Bektashi, Halveti dhe Melami.

Ai thekson që më shumë se 90 për qind e teqeve, që janë objekte fetare të këtij komuniteti në Kosovë, janë të përfshira nën organizimin e sotëm të BTK-së.

Shehu ka shtuar se komuniteti i dervishëve të Kosovës, që janë pjesë e 9 tarikateve në vend dhe që e përbëjnë Bashkësinë e Tarikateve të Kosovës, “numëron rreth 300 mijë njerëz, ndërkaq prej tyre 60 mijë janë me betim si aspirant në rrugën e Tarikateve”.

Por, Sahiti nga Bashkësia Islame e Kosovës i ka cilësuar si spekulim shifrat që përmenden nga Shehu.

“Ky është spekulim, mashtrim sepse askund nuk shkruan që janë 60 mijë anëtarë. As nuk ka statistika dhe asgjë. E kanë mashtruar madje edhe Komisionin e Venecias. Ata e kanë marrë si të mirëqenë”, tha Sahiti.

Komisioni i Venecias është organ këshillues mbi çështje kushtetuese i Këshillit të Evropës, i cili ka dhënë sugjerimet e veta edhe për Projektligjin për lirinë fetare në Kosovën.

Ismail Hasani, profesor i Sociologjisë së Religjionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që Tarikatet e Kosovës kanë të drejtë të njihen si bashkësi fetare në Kosovës dhe në parim, Bashkësisë Islame të Kosovës nuk ka të drejtë të kundërshtojë një gjë të tillë.

“Nuk ka të drejtë (BIK-u) që me çdo kusht, brenda për brenda saj duhet të jetë çdo kush, sepse shprehja dhe mënyra e manifestimit të lirisë dhe të drejtës fetare është e garantuar me Kushtetutë. Është e garantuar me të gjitha ligjet pozitive të botës së qytetëruar dhe nuk ka asnjë të keqe këtu që njerëzit që duan të praktikojnë në një mënyrë ose tjetër islamin, kanë të drejtë ta praktikojnë në vendin në të cilin ndjehen më mirë”, theksoi Hasani.

Përçarje e komunitetit mysliman apo dërgim i drejtësisë në vend?

Vedat Sahiti, nga Bashkësia Islame e Kosovës shpreh mendimin që zyrtarizimi përmes ligjit të Bashkësisë së Tarikateve si bashkësi fetare, mund të hapë rrugën e përçarjes brenda përbrenda korpusit të komunitetit mysliman në Kosovë dhe në të ardhmen të ketë edhe kërkesa tjera që të krijohen bashkësi fetare islame me tendenca kombëtare ose me tendenca sektare. Ai ka theksuar se do të kërkojnë nga deputetët e Kosovës që të mos e votojnë projektligjin në formën aktuale.

Por, ai shtoi se nëse ky projektligj miratohet, nuk do të manifestojnë kundërshtime.

“Ne nuk jemi për anarki dhe ne nuk do të dalim të bëjmë probleme. E miraton kuvendi, si organi më i lartë legjislativ në vend. Por, si të tillë, në qoftë se e miraton, nuk është se do të bëjë zgjidhje. Nuk i shërben kohezionit social dhe nuk i shërben kohezionit dhe bashkëjetesës ndërfetare”, u shpreh Sahiti.

Por, Lulzim Shehu nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës e pret të kundërtën. Ai thotë se kuvendi duhet të njohë kërkesat që vijnë nga komunitetet.

“Po pres që parlamentarët janë mbushur mend. Po vijnë tema të mëdha, ndërkaq kjo temë vetëm sa i tërheqë si gur rreth qafës. Do të thotë, ai që nuk di të identifikojë veten në mënyrë fetare, ai shtet nuk ka pse lypë njohje sepse nuk e njeh veten. Do të thotë, kuvendarët duhet t’i njohin bashkësitë e veta”, theksoi Shehu.

Profesor Hasani konsideron se njohja e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, përmes projektligjit të miratuar nga qeveria aktuale, është vetëm një hap përpara në drejtim të rregullimit të statusit juridik të kësaj bashkësie.

“Njohja e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës – në qoftë se nuk është fjala këtu për sektarizëm brenda për brenda Bashkësisë së Tarikateve – do të ishte në rregull dhe kjo përfundimisht është dërgim i drejtësisë në vend. Kjo për faktin se këto Tarikate, deri më tani, kanë pasur sistemin të pjesshëm të organizimit përmes teqeve ose përmes formave të ndryshme të organizimit dhe që vazhdimisht nuk kanë kërkuar mëvetësinë, por janë nënshtruar brenda bashkësisë fetare islame”, theksoi Hasani.

Debate dhe polemika të ngjashme ka pasur që nga viti 2014, kur Projektligji për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, i miratuar nga Qeveria e atëhershme e Kosovës, nuk ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe ishte kthyer në rishqyrtim.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2016. Ndërkaq, në nëntor të vitit 2017, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, ku Bashkësia e Tarikateve të Kosovës figuronte si bashkësia e gjashtë fetare në Kosovë. Por, ky projektligj mbeti në gjysmë të rrugës dhe nuk arriti të miratohej në tërësi.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, të cilin aktualisht e ka miratuar Qeveria e Kosovë, tashmë është proceduar në Kuvendin e Kosovës. Siç kanë konfirmuar nga Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ky projektligj do të shqyrtohet në këtë komision, në javën e parë të muajit tetor/REL.

Image