Arbëri

Shqipëria, vendi me numrin më të lartë të të miturve të braktisur në Itali, Kosova e nënta

Descriptive Text

Autoritetet italiane kanë publikuar të dhënat e fundit të përditësuara mbi situatën e minorenëve të pashoqëruar në Itali e për disatin vit radhazi minorenët nga Shqipëria renditen në vendet e para. Të dhënat e përditësuara deri më 31 gusht 2020 informojnë se emigrantët minorenë të pashoqëruar shqiptarë në Itali janë renditur në vendin e parë me numrin më të lartë mes kombësive të huaja.

Në qendrat për strehimin e tyre jetojnë 5540 minorenë e 1267 janë shqiptarë të cilët përbëjnë 22.9% të numrit të përgjithshëm. Në vend të dytë renditet Bangaldeshi me 965 minorenë të pashoqëruar, Egjipti, Pakistani, Tunizia e me radhë, raporton KOHA.

Ndërsa emigrantët minorenë të pashoqëruar nga Kosova, në Itali janë 177 duke u renditur në vendin e nëntë në klasifikimin sipas kombësive e përbëjnë 3.2% të numrit të tyre.

Ndër 1267 shqiptarë, 45 janë vajza, kanë numrin më të lartë ndër emigrantët minorenë të gjinisë femërore. Në raportin e autoriteteve italiane sinjalizohet gjithashtu se brenda një muaji, pra nga 1 gushti 2020 deri më 31 gusht 2020, kanë hyrë në territorin italian 4 minorenë shqiptarë të pashoqëruar e 12 minorenë nga Kosova. Gjithashtu gjatë këtij muaji janë 5 minorenë shqiptarë që janë larguar nga qendrat e strehimit në drejtim të paditur.

Numri më i lartë i emigrantëve minorenë të pashoqëruar strehohen në Siçili, Lombardi, Friuli Venezia Giulia, në Emilia Romgana etj. Autoritetet italiane shpeshherë kanë sinjalizuar se emigrantët minorenë që vijnë nga Shqipëria nuk mbërrijnë vetëm, por të shoqëruar me prindër ose të afërm të cilët i lënë në Itali për të pasur një të ardhme më të mirë në shkollim e punësim e për shkak të vështirësive ekonomike që kanë në vendin e tyre. Shqipëria nuk është ndër vendet e përfshira në konflikte ushtarake apo në gjendje lufte e as nën fatkeqësitë e tragjedive natyrore, por përsëri mbetet vendi i cili ka numrin më të lartë të emigrantëve minorenë të pashoqëruar që kërkojnë strehim në Itali.

Fenomeni i braktisjes së fëmijëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian është kthyer në shqetësim nga përmasat në rritje që po merr, nga prindër që ikin familjarisht dhe kthehen vetëm. Në vitin 2016, më shumë se 500 fëmijë të pashoqëruar shqiptarë u regjistruan në Francë, sidomos në lindje të këtij vendi.