Arbëri

Nga 12 tetori intervistohen dëshmitarët rreth procesit të privatizimit

Foto: Alban Bujari / KOHA

Më 12 tetor do të nisë intervistimi i dëshmitarëve para Komisionit Hetimor Parlamentar rreth procesit të privatizimit, ka bërë të ditur kryetari i tij, Hajrulla Çeku.

Çeku, në një konferencë për medie të mërkurën, ka thënë se në grupin e parë, komisioni ka gjithsej 21 dëshmitarë.

“Në këtë grup bëjnë pjesë ish-ministra përgjegjës, kryesues dhe anëtarë bordi si dhe ish-kryesues dhe ish-anëtarë bordi të AKM-së dhe AKP-së, drejtorë menaxhues dhe ish-drejtorë menaxhues si dhe ish-zyrtarë të UNMIK”-ut.

Çeku ka shpjeguar ecurinë e punës së këtij komisioni deri më tani. E ka përmendur edhe caktimin e ekspertëve të jashtëm.

“Po ashtu, kemi grumbulluar shumë dokumente dhe prova nga agjencitë relevante”, ka thënë ai.

Çeku ka thënë se pas intervistimit të këtij grupi do të publikohet edhe lista e grupit të dytë.

“Këtu bëjnë pjesë pronarët e kompanive që kanë privatizuar, ekspertët dhe gazetarët që e kanë monitoruar procesin, si dhe ish-punëtorë të ndërmarrjeve që kanë raste dhe konteste të hapura”, ka thënë ai.