Ramadan Memaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Qumështit, ka thënë se vaji i palmës po e rrezikon jetën e qytetarëve, ndërkohë që ata që po e importojnë atë po i shkatërrojnë bizneset e dhjetëra fermerëve të qumështit.
Për këtë, sot në Prishtinë është mbajtur edhe një protestë, meqë fermerëve nuk po iu blihet qumështi.
Memaj në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se e gjithë kjo po ndodh për shkak të vakumit ligjor.
“Kemi të bëjmë me një vakum ligjor, i cili është duke u shfrytëzuar në mënyrë të egër nga disa importues dhe disa prodhues vendorë, të cilët sjellin nga jashtë produkte të cilat kanë përmbajtje të yndyrave bimore dhe të cilat më pas në Kosovë shiten si produkte të qumështit. Pra bëhet fjalë për më tepër se 10 milionë kilogramë produkte të tilla në vit dhe kjo e shndërruar në litra qumështi del se është një sasi mbi 50 milionë litra që ishte dashur të prodhohen në Kosovë në mënyrë që këto produkte të zëvendësohen. Pra problemi kryesor i tepricave të qumështit dhe i stoqeve të cilat ekzistojnë në depot e qumështit janë produktet e jashtëligjshme me vaj bimor, pra të palmës”, ka thënë Memaj.
Ai ka tërhequr vërejtjen se vaji i palmës nuk po dëmton vetëm bizneset, por edhe shëndetin e qytetarëve.
“Ky vaj i palmës nuk është se përdoret vetëm si vaj, por përzihet me proteina, me hir pluhur, me modifikime gjenetike shpesh herë, që paraqesin problem serioz për qytetarët. Vaji i palmës është konstatuar shkencërisht se është kancerogjen dhe gjenotoksik, që i bie se shkatërron kromozomet e njeriut dhe përcillet te gjeneratat tjera. Në shumë vende në Evropë e kanë larguar nga tregu, aq më keq në Kosovë nuk dihet se i çfarë cilësie vjen”, ka thënë Memaj në Interaktiv.