Arbëri

Ndryshimi i kontratave martesore, opozita thotë se është kërkesë e ngutshme

Descriptive Text

Komisioni për Legjislacion në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, nuk ka arritur ta votojë draftin e parë të Kodit Civil, përkundër kërkesës së ministrit Selim Selimi, se një gjë e tillë duhet të ndodhë.

Në raportimin e tij, Ministri i Drejtësisë ka thënë se parimet themelore të barazisë civile për qytetarët, janë të inkorporuara në këtë projekt-kod.

Me gjithë këtë, deputetët opozitarë nuk janë pajtuar me këtë konstatim duke adresuar vërejtje për çështjen e martesave të hershme, trashëgimisë së grave në pronë dhe kontratave martesore.

Opozitarët kanë kërkuar që ky projekt-kod, të kthehet në ministry për t’u bërë ndryshimet e nevojshme, me përfshirjen e rekomandimeve të shoqërisë civile.

“Kjo është faza e parë, e cila ka zgjatur me vite të tëra dhe është bërë një punë e madhe, edhe janë bërë pesë libra. Por ne jemi të gatshëm për fazën e dytë, e cila është faza e Kuvendit. Mendoj që edhe imputet e juaja, amendamentet potenciale, të cilat ne mund t’i bëjmë edhe bashkë janë të mirëseardhura. Por baza e forcimit të një shtylle që është shtylla civile duke pasur parasysh gjitha standardet ndërkombëtare që i kemi në Kushtetutë edhe më tej mendoj që janë të inkorporuara në këtë kod”, ka deklaruar ai.

Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i VV-së, Dimal Basha, i cili i tha ministrit Selimi se po ngutet pa nevojë, përkundër vërejtjeve të dukshme të deputetëve dhe shoqërisë civile.

“Vërejtja ime ka qenë një nguti e madhe për të sjellë këtë projekt-kod me gjithë vërejtjet. Mendoj që paraqet një pakujdesi, e di që janë projektligje të vërejtje që i keni gjetur në sirtarë dhe i keni prurë këtu, por meqenëse se puna është bërë në qeveri tjera ju, e keni pasur si detyrim për të adresuar problemet dhe shqetësimet e grupeve të interesit”, tha ai, shkruan KP.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha, adresoi kritika për martesat e hershme në projekt-kod, mënyrën e fejesës dhe kthimin prapa në rast të ndarjes të gjërave materiale.

“Kontrata martesore është një nga çështjet që kanë zgjuar më shumë debat. Mendohet që me këtë kontratë martesore më shumë dëmtohen gratë. E dimë që meshkujt e kanë paranë në shumicën e rasteve dhe në këtë mënyrë, gratë para martesës privohen nga e drejta e garantuar me ligj në rast divorci. Rregullimi i fejesës me kod civil në këtë mënyrë parashihet t’i jep kodit një frymë patriarkale. Kthimi i dhuratave i kontribuon shumë te martesa me para. Kur familjet i japin dhurata ose para ose diçka të tjera për vajzën dhe në rast të prishjes së fejesës, ato duhet të kthehen”, tha ajo.

Ministri Selimi ka shtuar se për këto dispozita kanë marrë shembullin e standardeve ndërkombëtare.

“Ne kemi marrë për bazë kodin civil të Gjermanisë dhe në rajon për shembull Shqipëria, por me këtë kod marrëveshja parashihet të bëhet në gjykatë. Pra, personat e moshës 16 deri 18-vjeç mund të martohen, por duke i plotësuar disa kushte paraprake. E drejta e grave me këtë kod-civil forcohet dukshëm. Trashëgimia u është mohuar në shumë raste motrave dhe nënave dhe vendosja e një sistemi transparent të njohjes së drejtave të tyre në trashëgimi mbrohet dhe kategoria e ndarjes së trashëgimisë për brenda familjes te të dy gjinitë”, u shpreh Selimi.

Mbi bazën e këtyre vërejtjeve kthim prapa të këtij projekt-kodi kërkoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi.

“Ka një mungesë të një studimi sociologjik, sepse ky kod nuk i reflekton marrëdhëniet shoqërore. Ka raste ku merret me rregullimin e marrëdhënieve që nuk janë karakteristike dhe nuk janë prezentë në shoqërinë tonë. Ka edhe raste kur ato i rregullon në forma. Ky projektligj është mirë të tërhiqet në qeveri dhe të bëhen ndryshimet e nevojshme”, tha ai.

Në raportimin e tij ministri Selimi arsyetoi edhe Projektligjin për tokën ndërtimore, për të cilin kërkoi një kohë për të rishqyrtuar pozicionin e tyre për kthim prapa të këtij projektligjit pas vërejtjeve të deputetëve.