Arbëri

Nis seanca gjyqësore për rastin “Pronto”

Ka nisur në Gjykatën Supreme seanca ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, për rastin e njohur si “Pronto”.

Ai dhe të akuzuarit tjerë në rast, në janar të 2020-s ishin liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata e Apelit i kishte gjetur fajtorë. Grabovcit i ishte shqiptuar dënim me 1 vjet e dy muaj burgim, që nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej dy vitesh. Grabovci ishte ankuar në vendimin e Apelit.

Pos tij, në seancën gjyqësore janë paraqitur edhe të dënuarit tjerë Ilhami Gashi e Sadat Gashi.

Në të tillë raste, kur ndryshohet aktgjykimi i shkallës se parë nga lirues në dënues, sipas Kodit të Procedurës Penale, Gjykata Supreme merr rolin e shkallës se dytë pra Apelit.

Gjyqtare referuese në këtë shkallë të gjykatës është gjyqtarja Valdete Daka. Kryetar i trupit gjykues është kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Sipas legjislacionit, në shkallën e parë aktgjykimi përpilohet nga kryetari i trupit gjykues. Por një gjë e tillë nuk ndodh edhe në shkallën e dytë. Në Kodin e Procedurës Penale, saktësohet se gjyqtarja referuese e që në këtë rast është Valdete Daka, do të përpilojë vendimin.