Arbëri

Lugina pret që Zyra pranë Kryeministrisë të institucionalizojë çështjen e shqiptarëve

Në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës do të shtohet edhe një zyrë, ajo për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës.

Përmes kësaj zyre Qeveria do të angazhohet që të marrë masat e nevojshme për lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve që jetojnë në Luginë, raporton KOHA.

Kryetari i Këshillit Kombëtar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Ragmi Mustafa, thotë se institucionalizimi i çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka qenë kërkesë e kamotshme e tyre.


"Tash mbetet trajtimi i problemeve të shqiptarëve përmes kësaj zyre, e cila do të duhej të kishte një strategji afatgjate dhe afatmesme. Krahas asaj, të trajtojë problemet në arsim, kulturë, informim, përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip e, mbi të gjitha, të trajtojë çështjen e pasivizimit të adresave, përkatësisht vendbanimeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku ka me dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilët kanë mbetur pa dokumente përkatëse", ka thënë Mustafa.

Ndërsa kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka kërkuar veprime konkrete nga Qeveria aktuale meqë, siç thotë ai, deri në dy vjetët e fundit Kosova vetëm deklarativisht i ka përkrahur shqiptarët në tri komunat me shqiptarë.

Ai ka thënë se përfshirja e Luginës në dialogun Kosovë-Serbi duhet të jetë prioritet i Qeverisë.

"Minimumi që shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë është vendosja e një reciprociteti të të drejtave me serbët e Kosovës. Ky është një minimum politik i kërkesave tona. Nuk mund të ketë situatë të atillë të raporteve ndërshtetërore që po pretendohen të ndërtohen në të ardhmen, ku një shtet i jep garanci dhe të drejta pakicës brenda territorit të vet, që janë mbi standardet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që shteti tjetër, Serbia, na i mohon edhe ato të drejta që janë të garantuara me Kushtetutën e Serbisë", është shprehur Kamberi.

Ndërsa ish-koordinatori i Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Kushtrim Kadriu, e ka cilësuar si të vonuar themelimin e kësaj zyre.

"Nuk besoj shumë në këtë lëvizje të zotit Hoti, por uroj që të jetë diçka konkrete dhe diçka pozitive. Ne jemi gënjyer vazhdimisht, besoj që nuk ka politikan në Republikën e Kosovës që nuk e ka keqpërdorur fatin e keq të këtyre qytetarëve, të cilët kanë mbetur nën Serbi", ka pohuar Kadriu.

KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës dhe nga koordinatori nacional për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, në lidhje me kërkesën për përfshirje në dialog, por ata nuk janë deklaruar.

Në kuadër të themelimit të Zyrës për Luginën, të martën kryeministri Hoti do të mbajë një takim me përfaqësuesit politikë të Luginës, për të marrë komente në lidhje me jetësimin e saj.