48 raste të reja me COVID-19 janë rregjistruar në 24 orët e fundit, ka bërë të ditur të hënën ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Si ka thënë ai, gjithsej 645 mostra janë testuar.
Njëkohësisht, si ka thënë ai në kuadër të takimit të Komitetit për menaxhimin e pandemisë, numri i inspektorëve është shtuar për 75.
“Nga ky takim, ju bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë më përgjegjësinë më të lartë masat mbrojtëse duke bartur maskën, ruajtur distancën dhe higjienën, sepse vetëm kështu mund t'ia dalim së bashku. Respektimi i ligjit duhet të vlej për të gjithë. Policia, inspektoratet dhe secili institucion duhet të bëj punën e vet. Asnjë organ i drejtësisë, me ligjin e ri, nuk ka më hapësirë për të kërkuar arsye amnistimi dikë që shkel rregullat. Për këtë qëllim, do të shtojmë numrin e inspektorëve për 75, që bashkë me Policinë e Kosovës do të ndihmojnë në zbatimin e masave të reja”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Ndërkohë gjatë konferencës së shtypit, menjëherë pas takimit, ministri Zemaj ka bërë thirrje për kalimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.
“Vlerësimet janë që ne duhet të vazhdojmë me zbatueshmërinë e masave. Interesimi ynë ka qenë këto ditë mbarëvajtja e mësimit në shkolla. Qeveria e Kosovës edhe sot por edhe në vazhdim do të mundohet ta mbulojë dëmin ekonomik dhe bëj thirrje që deputetët ta votojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike. Këtë kohë do ta shfrytëzojmë për rritjen e kapaciteteve infrastrukturore, testuese e humane. Asnjë mundësi nuk do t'i japim askujt që t'i shkelë masat dhe ky zotim ishte i të gjithëvë, ministrave dhe atyre që po punojnë për shpëtimin e jetës së njerëzve”, ka thënë ai.