Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e 28 shtatorit - Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, priti z.Rasim Demiri, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i koalicionit VAKAT, me ç’rast atij dhe komunitetit boshnjak ua uroi këtë ditë të veçantë.
“E vlerësoj kontributin e komunitetit boshnjak në shtetndërtimin e Kosovës, po ashtu e vlerësoj edhe traditën e jashtëzakonshme të bashkëjetesës dhe të harmonisë në diversitet etnik, religjioz e kulturor që ka vendi ynë”, tha kryeministri Hoti.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët Boshnjak të Kosovës për ditën ndërkombëtare të tyre.
Kryepralamentraja në fillim të seancës së sotme plenare tha se populli i Kosovës është mirënjohës për kontributin historik të boshnjakëve në promovimin e jetës së përbashkët.
“ Populli i Kosovës është shumë mirënjohës për kontributin historik të tyre në promovimin e jetës sonë të përbashkët. Boshnjakët përfaqësojnë vlerë kulturore të Kosovës duke pasuruar diversitetin gjuhësor e kulturor të vendit tonë. Ata janë edhe pjesë e rëndësishme të historisë së re të Kosovës. Ne nuk mund të harrojmë kontributin e tyre në jetësimin e shtetit të Kosovës asnjëherë”, tha Osmani.
Osmani sjelli edhe një shembull personal për të vlerësuar rolin e boshnjakëve në Kosovë
“Gjatë luftës në Kosovë, derisa dhjetëra mijëra qytetarë të Mitrovicës ishin dëbuar dhe ishin të detyruar të ecin nga Mitrovica deri në kufij me Shqipërinë ishte një gjyshe boshnjake e cila rrezikonte jetën e saj për të furnizuar me ushqim dhjetëra mijëra qytetarë mitrovicas. Nuk ka mitrovicas që nuk e ka kaluar atë rrugë Kosovë-Shqipëri që nuk e kujto kontributin dhe sakrificës e asaj gjyshe boshnjake”, tha ajo.