Është vlerësuar si shqetësues rendi në rritje i rasteve të dhunës në familje, veçanërisht si rezultat i pandemisë COVID-19, mbylljes dhe problemeve ekonomike e sociale në familje.
Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherit edhe Koordinatori Nacional Kundër Dhunës në Familje, Florian Dushi, ka mbajtur një takim me kryesuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës.
Në takim është thënë që institucionet përgjegjëse duhet të rrisin koordinimin mes tyre në luftën kundër dhunës në familje.
“I bëjmë thirrje secilit qytetar të Kosovës që t’i shmanget ushtrimit të çfarëdo lloj dhune në familje, që familjen dhe secilin pjesëtar të saj, ta trajtojë ashtu siç është trajtuar historikisht familja në vendin tonë, si diçka e shenjtë që duhet të çmohet dhe të mbrohet në secilën rrethanë”, tha zëvendësministri Dushi.
Po ashtu nga takimi u kërkua që viktimat potenciale të dhunës brenda familjes, pa asnjë hezitim të raportojnë këto raste pranë institucioneve përgjegjëse me qëllim final që rastet e dhunës në familje të zvogëlohen në vendin tonë, mundësisht, të evitohen në tërësi.