Arbëri

Specialja nis procesin kundër Salih Mustafës, interviston Agim Çekun

Mbi 5 vjet pas prej kur u themelua nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale të hënën do ta nisë procesin e parë ndaj një ish-luftëtari të UÇK-së, i cili po dyshohet për krime lufte.

Sali Mustafa, i njohur gjatë luftës me nofkën “Cali”, do të paraqitet para kësaj gjykate të hënën, në orën 15:00. Mustafa u arrestua të enjten nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi Gjykata Speciale ia kishte konfirmuar aktakuzën qysh në qershor të këtij viti.

Ai akuzohet për një sërë veprash penale, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Sipas avokatëve, të hënën Mustafës, i cili kohë më parë ka mbajtur postin e ish-shefit të Inteligjencës së Forcave të Sigurisë së Kosovës, në seancë para gjykatës pritet t’i shqiptohet masa e paraburgimit.

Pas saj, Mustafa do të ketë afat prej 30 ditësh që ta kundërshtojë aktakuzën dhe juridiksionin e Gjykatës. Avokati i akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, thotë se jodomosdo do të arrestohen të gjithë ata të cilëve u konfirmohet aktakuza, por arrestimet nga Gjykata, siç thotë ai, mund të ndodhin edhe më tej nëse vlerësohet se ka rrezik të arratisjes së të akuzuarve.

"Bazë ligjore ka edhe për arrestime edhe për mbrojtje në liri, varësisht kërkesës së Prokurorisë do të vendosë edhe Gjykata.

Por rastin e parë ata e kanë vazhduar me arrestime dhe po besoj nesër do të shihet ajo a do të ketë kërkesa për paraburgim, e si duket do të ketë, në mënyrë që gjatë procedurave gjyqësore të akuzuarit atje të mos kenë pengesa në thirrje apo vajtjeardhje Kosovë-Hagë", ka thënë Hodaj. Përveç Mustafës, të hënën do të intervistohet në Hagë edhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, në cilësinë e të dyshuarit. Avokati i tij, Artan Qerkini, ka thënë për KOHËN se intervistimi i Çekut planifikohet të nisë prej orës 09:30.