Arbëri

Mbi 1600 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në Kosovë aktualisht janë 1674 raste aktive me COVID-19.

Dje një person ka vdekur derisa janë regjistruar edhe 46 raste pozitive.

Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private, janë testuar gjithsej 664 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve kanë rezultuar 46 raste pozitive.

Sipas Institutit, brenda 24 orëve është raportuar një rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

“Numri total i rasteve pozitive është 15.379 raste nga 64.894 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 617 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 101 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.088 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.674”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 15 raste, komuna e Fushë Kosovës 5 raste, komuna e Gjakovës 5 raste, komuna e Mitrovicës 5 raste, komuna e Podujevës 4 raste, komuna e Prizrenit 3 raste, komuna e Gjilanit 2 raste, komuna e Pejës 2 raste, komuna e Vushtrrisë 2 raste dhe me nga një rast komunat Drenas, Ferizaj dhe Malishevë.