Arbëri

Aktakuza kundër Mustafës: Vrasje e torturim të atyre që i cilësonin spiunë

Aktakuza kundër Mustafës: Vrasje e torturim të atyre që i cilësonin spiunë
Mustafa (djathtas)

Për krime që pretendohet se janë kryer gjatë luftës së fundit është ngritur dhe konfirmuar aktakuza me 10 faqe ndaj Salih Mustafë-Calit, ish-epror i UÇK-së. Mustafa është arrestuar mëngjesin e së enjtes, ndërkohë që njoftimi dhe përmbledhja e akuzave ndaj tij është bërë publike disa orë pasi është dërguar në Hagë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Salih Mustafa u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, ka thënë në një komunikatë për media zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.