Arbëri

Musliu: Ditëve në vijim mund të ketë arrestime tjera të Speciales

Descriptive Text

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë në Interaktiv të KTV-së se pret që në ditët në vijim të ketë arrestime tjera.

“Kjo që ka ndodhur sot, do të pasohet në ditët e ardhshme me ftesa apo arrestime tjera”, ka thënë ai, i pyetur rreth arrestimit të parë të Speciales, të enjtën.

Si ka thënë Musliu, shumëçka që ndërlidhet me funksionimin e Speciales “është e çuditshme”.

“Pritjet kanë qenë të mëdha, marrë parasysh bujën për kalimin e ligjit. Kjo kohë e gjatë e ka zbehur besueshmërinë. Pritjet kanë qenë për të gjithë ato vite dhe akuza që janë bërë publike”, ka thënë Musliu

Sipas tij, askush nuk ka besuar që do të marrë aq shumë kohë.

“Por thjeshtë kjo do të mund të arsyetohej nëse tani do të kishte procese efikase që do të zhvilloheshin. E nëse vazhdon ky trend, do të jetë dëshprim tejet i madh”, ka thënë ai.

Sipas tij, dëshpërimi lidhet edhe më zhvillimet e fundit.

“Kemi seri dosjesh që thuhet se kanë të bëjnë me Specialen dhe mund të kenë rrjedhur prej saj, e që në fakt përbën rrezik tejet e madh”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe rreth vetë arrestimit të Salih Mustafën, duke thënë se mënyra se si u arrestua nuk u sqarua.

“Në fakt ka shumë dilema se si është kryer operacioni për arrestimin e të akuzuarit të parë. Disa dëshmitarë që i pashë në media thanë se ka shkuar EULEX-i kanë qenë të maskuar. Por nuk pamë detaje zyrtare, pasi që e dimë që operacione ekzekutive në këtë formë misioni i EULEX-i nuk ka. Të gjithë arrestimet eventuale në Kosovë mund të kryhen nga institucionet për zbatimin e ligjit, që është Policia e Kosovës. Nëse kanë shkuar dhe e kanë informuar për këtë ftesë të tij dhe e kanë bërë shoqërimin e tij deri në Zyrat e Prokurorit të Specializuar, është krejt në rregull sepse nuk është arrestim”, ka thënë ai.

Si ka thënë Musliu, nuk është sqaruar në komunikatë nëse është arrestuar nga EULEX-i apo Policia e Kosovës.

“Tani kjo procedurë e ka rendin të zhvillohet në Gjykatë para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku ai do të deklarohet rreth akuzave”, ka thënë ai.

Musliu ka thënë se nëse dyshohet se i akuzuari mund të jetë person që mund të ikë, do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

“Besoj se kjo është procedurë standarde dhe do të kërkohet nga prokuroria”, ka thënë ai.