Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar aktakuzën e konfirmuar ndaj Salih Mustafës.
Prokurori i Specializuar, në përputhje me kompetencën e tij sipas neneve 35(2)(i) dhe 38 të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (‘Ligji’) akuzon Salih Mustafën për krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.
Më poshtë e gjeni të plotë aktakuzën ndaj Mustafës.
SHTOJCË 2 e Parashtrimit të Aktakuzës së konfirmuar
Rreptësisht konfidenciale dhe ex parte
Vetëm për Gjykatësin e Procedurës Paraprake, Administratoren dhe Prokurorin e Specializuar
Numri: KSC-BC-2020-05
Administratore: Dr. Fidelma Donlon
Pjesëmarrës parashtrues: Prokurori i Specializuar
Data: 19 qershor 2020
Gjuha: Anglishte
Klasifikimi: Rreptësisht konfidenciale dhe ex parte
Aktakuzë
Zyra e Prokurorit të Specializuar
Xhek Smith
Prokurori i Specializuar, në përputhje me kompetencën e tij sipas neneve 35(2)(i) dhe 38 të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (‘Ligji’) akuzon:
SALIH MUSTAFËN
për krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare, të ndëshkueshme sipas neneve 14 dhe 16(1) të Ligjit, sikurse shtjellohet në vijim:
I AKUZUARI
1. Salih MUSTAFA, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, u lind më 1 janar 1972 në Prishtinë, Kosovë, dhe ishte shtetas i Republikës Federale të Jugosllavisë (‘RFJ’) për të gjitha periudhat që kanë lidhje me këtë aktakuzë.
2. Për të gjitha periudhat që kanë lidhje me këtë aktakuzë, Salih MUSTAFA ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’), në anglishte, Kosovo Liberation Army (‘KLA’).
PARAQITJE FAKTEVE
Elementët kontekstualë
3. Krimet që paraqiten në aktakuzë ndodhën në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe kishin lidhje me këtë konflikt midis UÇK-së dhe forcave të RFJ-së dhe Republikës së Serbisë, ndër të cilat njësite të Ushtrisë Jugosllave (‘UJ’), njësite policore dhe njësite të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme (‘MPB’) dhe grupe të tjera që luftonin në emër të RFJ-së dhe të Serbisë.
4. UÇK-ja kishte strukturë komanduese, kishte kontroll mbi territor dhe planifikoi e kreu operacione në Kosovë. Luftime të armatosura, ku u përfshinë forca të shumta, u zhvilluan para, gjatë dhe pas periudhës që ka lidhje me këtë aktakuzë në vende të ndryshme anembanë Kosovës.
5. Njësiti BIA kishte afërsisht 500-600 ushtarë të cilët vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash. Gjatë të gjitha periudhave që lidhen me këtë aktakuzë, njësiti BIA vepronte nga një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash. Njësiti BIA e përdori kompleksin si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje (‘kompleksi i ndalimit në Zllash’). Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave që u mbajtën në kompleksin e ndalimit në Zllash. Viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.
6. Salih MUSTAFA ishte në dijeni të rrethanave faktike të konfliktittë armatosur dhe të faktit se viktimat ishin persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime. Format e përgjegjësisë penale
7. Afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih MUSTAFA dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patëntë njëjtinqëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash. Qëllimi i përbashkët përfshinte kryerjen e krimeve të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
8. Salih MUSTAFA kishte të njëjtin synim për kryerjen e këtyre krimeve së bashku me anëtarët e tjerë të kësaj ndërmarrjeje kriminale të përbashkët (‘NKP’).
Ndryshe, për Salih MUSTAFËN ishte e parashikueshme që krimi i vrasjes së paligjshme mund të kryhej nga një ose më shumë anëtarë të NKP-së, ose nga persona të përdorur nga cilido prej anëtareve të NKP-së për kryerjen e krimeve që ngërthente qëllimi i përbashkët. Duke qenë i vetëdijshëm se vrasja e qëllimshme ishte pasojë e mundshme e zbatimit të qëllimit të përbashkët të NKP-së, Salih MUSTAFA mori pjesë në këtë NKP dhe si rrjedhojë e mori përsipër këtë rrezik me vullnet të lirë.
9. Ndër anëtarët e tjerë të NKP-së përfshiheshin ushtarët e UÇK-së me pseudonimet ‘Tabuti’, ose ‘komandant Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’ dhe ushtarë, policë dhe roja të tjerë të UÇK-së të pranishëm në kompleksin e ndalimit në Zllash. Secili prej anëtarëve të NKP-së, përmes veprimeve dhe mosveprimeve të veta, kontribuoi në realizimin e qëllimit të përbashkët. Ndryshe, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të NKP-së, por u përdorën nga anëtarë të NKP-së në kryerjen e krimeve, për realizimin e qëllimit të përbashkët.
10. Salih MUSTAFA, si komandant i njësitit BIA, dha kontribut të qenësishëm në realizmin e qëllimit të përbashkët, në një ose më shumë nga mënyrat e mëposhtme:
a. duke komanduar, urdhëruar, kontrolluar dhe/ose ndryshe duke ndikuar mbi anëtarët e UÇK-së të pranishëm në kompleksin e ndalimit në Zllash, ndër të cilët anëtarë të tjerë të NKP-së dhe persona të përdorur nga këta anëtarë të NKP-së, në kryerjen e krimeve, për realizimin e qëllimit të përbashkët;
b. duke mbikëqyrur dhe/ose duke marrë pjesë në funksionimin e kompleksit të ndalimit në Zllash;
c. duke marrë pjesë në kryerje, dhe/ose duke urdhëruar kryerjen e akteve që çuan në vazhdimin ose zbatimin e ndalimit arbitrar, ndër të cilat pretendimi që përmendet në paragrafin e mëposhtëm 19;
d. duke marrë pjesë në kryerje dhe/ose duke urdhëruar kryerjen e akteve të trajtimit mizor dhe/ose torturës, ndër të cilat pretendimet e përfshira në paragrafët e mëposhtëm 23-26 dhe 29;
e. duke mos marrë masa adekuate për parandalimin dhe hetimin e krimeve dhe/ose për ndëshkimin ose disiplinimin e kryesve të këtyre krimeve;
f. duke mos marrë masa adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash; dhe/ose
g. përndryshe, duke nxitur ose ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve të paraqitura në aktakuzë, ndër të tjera përmes pranisë së tij gjatë kohës së kryerjes së krimeve dhe/ose përmes shembullit të tij nëpërmjet pjesëmarrjes së tij në kryerjen e krimeve.
11. Përmes këtyre veprimeve dhe mosveprimeve, Salih MUSTAFA dha praktikisht ndihmë, inkurajim dhe/ose mbështetje morale, të cilat patën një ndikim të konsiderueshëm në kryerjen e krimeve të paraqitura në këtë aktakuzë. Ai ishte i vetëdijshëm për gjasën e kryerjes së këtyre krimeve dhe për gjasën se veprimet dhe mosveprimet e tij do të kontribuonin në kryerjen e këtyre krimeve.
12. Përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përmendura në paragrafët 19, 23-26 dhe 29, Salih MUSTAFA fizikisht kreu akte të vazhdimit dhe zbatimit të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës. Ai kishte synimin e kryerjes së këtyre krimeve dhe/ose, në lidhje me ndalimin arbitrar, veproi duke pasur dijeni të arsyeshme se veprimi ose mosveprimi me gjasë do të shkaktonte heqjen arbitrare të lirisë.
13. Salih MUSTAFA nxiti (përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përmendura në paragrafët 17.a-17.e, 19, 23-26 dhe 29) dhe/ose urdhëroi (përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përmendura në paragrafët 19, 23-26 dhe 29) kryerjen e krimeve të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës. Ai veproi me synimin e kryerjes së këtyre krimeve, ose ishte i vetëdijshëm për gjasën e konsiderueshme të kryerjes së krimeve gjatë zbatimit të urdhrave të tij dhe/ose të kryerjes së akteve të nxitura prej tij.
14. Ndryshe, Salih MUSTAFA mban përgjegjësi penale individuale si epror.
15. Gjatë të gjitha periudhave që lidhen me këtë aktakuzë, Salih MUSTAFA ishte komandant i njësitit BIA dhe drejtues i pranuar i kompleksit të ndalimit në Zllash. Ai ushtronte komandë dhe kontroll de jure dhe de facto mbi anëtarët e UÇK-së të cilët kryen krimet e paraqitura në këtë aktakuzë. Termi ‘kryerje’, kur përdoret në kontekstin e përgjegjësisë së eprorit, përfshin të gjitha format e përgjegjësisë penale të përmendura në nenin 16(1) të Ligjit.
16. Salih MUSTAFA dinte ose kishte arsye të dinte përmes burimeve të shumta se disa anëtarë të UÇK-së nën kontrollin efektiv të tij ishin në prag të kryerjes, ose kishin kryer krime, ndër të tjera:
a. përmes përfshirjes së tij në kryerjen e këtyre krimeve;
b. përmes pranisë së tij në kompleksin e ndalimit në Zllash, duke përfshirë edhe praninë e tij gjatë kohës së kryerjes së tyre;
c. përmes marrjes së informatave për kryerjen e këtyre krimeve; dhe/ose
d. përmes shikimit të provave nga ai vetë të kryerjes së këtyre krimeve.
17. Salih MUSTAFA nuk mori masa të nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e kryerjes nga ushtarë të UÇK-së nën kontrollin efektiv të tij, të krimeve të paraqitura në aktakuzë, dhe/ose për ndëshkimin e kryesve të këtyre krimeve.
Veprimet dhe mosveprimet e mëposhtme të Salih MUSTAFËS provojnë mosmarrjen e masave të nevojshme dhe të arsyeshme prej tij:
a. mosurdhërimi ose mosnisja e hetimeve të mirëfillta ose adekuate, ose mosmarrja e masave të tjera të mirëfillta dhe adekuate për trajtimin e pretendimeve të kryerjes së krimeve nga disa ushtarë të UÇK-së të pranishëm në kompleksin e ndalimit në Zllash;
b. mosraportimi te autoritetet e duhura i informacionit mbi kryerjen ose kryerjen e mundshme të krimeve nga disa ushtarë të UÇK-së të pranishëm në kompleksin e ndalimit në Zllash;
c. mosdisplinimi, moslargimi nga detyra ose mosulja në rang e anëtarëve të UÇK-së të përfshirë në kryerjen e krimeve dhe/ose të cilët nuk parandaluan, ose nuk ndëshkuan vartësit e tyre për kryerjen e krimeve;
d. moslëshimi i urdhrave të nevojshëm e të arsyeshëm në përputhje me rrethanat, për të ndaluar ose për t’i dhënë fund kryerjes së krimeve prej anëtarëve të UÇK-së të pranishëm në kompleksin e ndalimit në Zllash; dhe/ose
e. mosmarrja e masave të tjera adekuate, si sigurimi itrajnimit adekuat dhe hartimi ose zbatimi i rregulloreve dhe procedurave të nevojshme për të siguruar moskryerjen e krimeve prej anëtarëve të UÇK-së të pranishëm në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar
18. Afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, Salih MUSTAFA dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’ ose ‘komandant Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash. Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës, sikurse përshkruhet në paragrafët e mëposhtëm 21-27 dhe 29. Këta persona u arrestuan dhe u mbajtën të ndaluar pa bazë ligjore, nuk u informuan për arsyen e arrestimit ose ndalimit të tyre dhe/ose nuk iu dha mundësia të paraqisnin ankesë për ndalimin e tyre.
19. Salih MUSTAFA mori pjesë në akte të zbatimit dhe vazhdimit të ndalimit arbitrar në kompleksin e ndalimit në Zllash, ndër të tjera nëpërmjet mbikëqyrjes së kompleksit të ndalimit në Zllash dhe të akteve të trajtimit mizor e të torturimit të të ndaluarve, sikurse përshkruhet në paragrafët e mëposhtëm 23-26 dhe 29.
20. Sikurse u parashtrua në paragrafët e mësipërm 8, 11-13 dhe 16, Salih MUSTAFA kishte synimin dhe dijeninë e nevojshme për krimin e ndalimit arbitrar.
Trajtim mizor
21. Afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, Salih MUSTAFA dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’ ose ‘komandant Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, krijuan dhe mbajtën kushte çnjerëzore të ndalimit në kompleksin e ndalimit në Zllash. Këto kushte u karakterizuan nga heqja e lirisë pa proces ligjor të rregullt, sikurse përmendet në paragrafët e mësipërm 18-19, dhe ofrimi i pamjaftueshëm i ushqimit, ujit, kushteve higjienike dhe sanitare, fjetjes, strehimit dhe kujdesit shëndetësor.
22. Gjithashtu, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, Salih MUSTAFA dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’ ose ‘komandant Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, në mënyrë të përsëritur keqtrajtuan të ndaluarit në kompleksin e ndalimit në Zllash si fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, djegies dhe goditjes me rrymë elektrike, po ashtu edhe psikologjikisht, ndër të tjera përmes kërcënimit me vdekje dhe kërcënimit për lëndim të rëndë fizik, frikësimit, poshtërimit, diskriminimit për arsye politike, kanosjes, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar ose nën shtrëngim. Të ndaluarit u keqtrajtuan fizikisht dhe psikologjikisht në prani të të ndaluarve të tjerë. Mbi disa prej tyre u urinua në prani të të ndaluarve të tjerë.
23. Të ndaluarit në kompleksine ndalimit në Zllashrriheshinthuajse përditë. Salih MUSTAFA nuk mori asnjë masë për parandalimin ose kufizimin e dhunës, ose ndryshe për të ndihmuar ose për të siguruar trajtim njerëzor të të ndaluarve.
24. Në fillim të prillit 1999, ose rreth kësaj kohe, Salih MUSTAFA, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët ushtarët me pseudonimet‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, morën në pyetje dhe rrahën [REDAKTUAR]. Salih MUSTAFA e goditi me shuplakë, me grusht dhe e shkelmoi [REDAKTUAR], dhe urdhëroi anëtarët e tjerë të pranishëm të UÇK-së që ta rrihnin me një shkop bejsbolli dhe me dorëzën e një sakice.
25. Më [REDAKTUAR], ose rreth kësaj date, Salih MUSTAFA, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët një ushtar me pseudonimin ‘Tabuti’, mori në pyetje dhe rrahu [REDAKTUAR] dhe urdhëroi të tjerët që ta rrihnin. [REDAKTUAR] e shkelmuan, e goditën me grushte dhe e rrahën me shkopinj. Salih MUSTAFA [REDAKTUAR] dhe i tha se ai ishte spiun dhe se do ta vrisnin.
26. Në një incident tjetër nga ai i përshkruar në paragrafin 25 më lart, Salih MUSTAFA, në prani të anëtarëve të tjerë të UÇK-së, e mori në pyetje [REDAKTUAR] mbi dijenitë e tij për identitetet e vjedhësve dhe spiunëve dhe e rrahu me një shkop bejsbolli në të gjithë trupin, duke i shkaktuar dëmtim të rëndë mendor dhe lëndime fizike të rënda.
27. Veprimet dhe mosveprimet e përshkruara më lart, të marra veçazi ose së bashku, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndim të rëndë mendor dhe/ose fizik dhe/ose përbënin cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor. Këto veprime dhe mosveprime shkelën të drejtat themelore të viktimave për liri dhe siguri të personit, për lirinë e lëvizjes, të drejtën e një procesi ligjor të rregullt dhe të drejtën për të mos u diskriminuar për arsye politike. Salih MUSTAFA dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së u përpoqën t’i detyronin viktimat që të vepronin kundër dëshirës dhe ndërgjegjes së tyre. Si pasojë e trajtimit të tyre në kompleksin e ndalimit në Zllash, viktimat humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash, u poshtëruan, u shfytyruan, u mavijosën keqas, iu shkaktuan djegie dhe plagë, u mbuluan në gjak dhe patën pasoja psikologjike dhe fizike që vazhduan pas lirimit të tyre.
28. Sikurse u përmend në paragrafët e mësipërm 8, 11-13, dhe 16, Salih MUSTAFA kishte synimin dhe dijeninë e nevojshme për krimin e trajtimit mizor.
Torturë
29. Përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara në paragrafët 21-27 më lart, Salih MUSTAFA dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’ ose ‘komandant Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u shkaktuan viktimave vuajtje ose dhimbje shumë të rënda me synim marrjen e informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar ose shtrënguar viktimat dhe/ose duke i diskriminuar viktimat, ndër të tjera për arsye politike. Gjatë veprimeve dhe mosveprimeve të lartpërmendura, Salih MUSTAFA dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, morën në pyetje të ndaluarit dhe i akuzuan viktimat si bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe/ose si mospërkrahës të UÇK-së.
30. Sikurse u përmend në paragrafët e mësipërm 8, 11-13, dhe 16, Salih MUSTAFA kishte synimin dhe dijeninë e nevojshme për krimin e torturës.
Vrasje e paligjshme
31. Salih MUSTAFA ishte i pranishëm kur [REDAKTUAR] e sollën fillimisht në kompleksin e ndalimit në Zllash. Disa anëtarë të UÇK-së e shënjestruan [REDAKTUAR] dhe ai u rrah dhe u torturua më rëndë se personat e tjerë të ndaluar. [REDAKTUAR].
32. Gjatë mbajtjes ë tij si i ndaluar, familjarët e tij vazhdimisht kërkuan të merrnin informata për fatin e tij, mirëpo morën informata të rreme, të paplota ose nuk morën asnjë informatë. [REDAKTUAR] u pa për herë të fundit i gjallë më 19 prill 1999, ose rreth kësaj date. [REDAKTUAR]. Familja e tij nuk dëgjoi më kurrë prej tij. Rreth fundit të prillit 1999, njësiti BIA u largua prej Zllashit. Kufoma e [REDAKTUAR] u zbulua në [REDAKTUAR].
33. Sikurse u përmend në paragrafët e mësipërm 8, 11 dhe 16, Salih MUSTAFA kishte synimin dhe dijeninë e nevojshme për krimin e vrasjes së paligjshme.
PARAQITJE E KRIMEVE
34. Përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara në paragrafët 12-13, 19, 23-26 dhe 29 më lart, Salih MUSTAFA kreu fizikisht, urdhëroi dhe/ose nxiti krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës. Përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara në paragrafët 7-11, 18-19, 21-27, 29 dhe 31-32 më lart, Salih MUSTAFA, përmes pjesëmarrjes së tij në një ndërmarrje kriminale të përbashkët, kreu dhe/ose ndihmoi dhe inkurajoi kryerjen e krimeve të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme. Përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara në paragrafët 14-17, 18-19, 21-27, 29 dhe 31-32 më lart, Salih MUSTAFA gjithashtu dinte ose kishte arsye të dinte se vartësit e tij ishin në prag të kryerjes ose kishin kryer krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme, dhe nuk mori masa të nevojshme e të arsyeshme për parandalimin e akteve të tilla, ose për ndëshkimin e kryesve.
35. Salih MUSTAFA mban përgjegjësi penale individuale për: Pika 1: NDALIM ARBITRAR në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, KRIM LUFTE, i ndëshkueshëm në bazë të neneve 14(1)(c), 16(1)(a), dhe 16(1)(c) të Ligjit;
Pika 2: TRAJTIM MIZOR në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, KRIM LUFTE, i ndëshkueshëm në bazë të neneve 14(1)(c)(i), 16(1)(a), dhe16(1)(c) të Ligjit;
Pika 3: TORTURË në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, KRIM LUFTE, i ndëshkueshëm në bazë të neneve 14(1)(c)(i), 16(1)(a), dhe 16(1)(c) të Ligjit; dhe
Pika 4: VRASJE E PALIGJSHME në kompleksin e ndalimit në Zllash afërsisht midis 19 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, KRIM LUFTE, i ndëshkueshëm në bazë të neneve 14(1)(c)(i), 16(1)(a), dhe16(1)(c) të Ligjit.
/nënshkrim/
____________________
Xhek Smith
Prokuror i Specializuar
E premte,19 qershor 2020
Në Hagë, Holandë.