Arbëri

Hoti merr ftesën për takim në Bruksel, përgjigjen do ta japë “shumë shpejt”

Kryeministri Avdullah Hoti do t’i përgjigjet “shumë shpejt” ftesës së Bashkimit Evropian për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Hoti e ka konfirmuar për KOHËN se ftesat kanë ardhur, por se ende nuk është vendosur sa i përket pjesëmarrjes në takim.

“Ftesa ka ardhur... për përgjigje do të njoftoheni shumë shpejt”, ka thënë ai, i pyetur se cila do të jetë përgjigja e Hotit.

Burime në Bruksel kishin bërë të ditur paraprakisht se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u ka dërguar ftesa palëve që së pari të ketë takim të dielën e të hënën, e takimi Hoti-Vuçiq të zhvillohet të martën, takim që ende nuk është konfirmuar.

Kjo pasi që pala serbe është duke insistuar që pjesë e diskutimeve të bëhet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë e cila është refuzuar nga pala kosovare.

Hoti në një konferencë për medie të mbajtur paraditen e së enjtes ka thënë se data e takimit do të merret vesh ditëve në vijim.