Arbëri

Protestë me biçikleta kundër dhunës ndaj grave

”Poshtë Patriarkati“, “Jom njeri, s’jom rob”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Gjyqësor Kanunor” janë disa nga pankartat, përmes të cilave protestuesit të mërkuren, kanë kërkuar përgjegjësi institucionale në mbrojtje të të drejtave të grave.

Këta protestues, që nga sheshi Zahir Pajaziti më vonë kanë shkuar në drejtim të qeverisë, i janë përgjigjur ftesës së organizatës “Replikë”.

Bjeshka Guri, aktiviste e të drejtave të njeriut, ka thënë se përmes kësaj proteste kërkojnë drejtësi për gratë, të cilat janë viktimë e dhunës dhe vrasjeve.

Krahas kësaj, ajo ka kritikuar institucionet, duke thënë se këto të fundit promovojnë kulturë dhune, duke fajësuar viktimën e duke mos dënuar kriminelët.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19, kjo protestë u realizua me biçikleta, teksa protestuesit përshkuan rrugët kryesore të Prishtinës/ Kosovapress.