17:25

Nga një muaj paraburgim 30 të arrestuarve në Karaçevë

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë, për 30 të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të realizuar me datë 18.09.2020 në fshatin Karaçevë.

Sipas komunikatës për media, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.L., në fshatin Karaçevë, në cilësi të zyrtarit policor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të vazhdueshme ka ndihmuar, fshehur dhe nuk ka penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve të tjerë, të cilët duke kaluar vijën kufitare kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme. Gjithashtu, i njëjti, në lokalin e tij në të njëjtin vend, në vazhdimësi ka organizuar lojërat e fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Ai dyshohet se ka kryer dy vepra penale “Kontrabandimi me mallra” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”,

Ndërkohë të dyshuarit H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.TH., S.G., S.N., S.M. dhe Z.A., në cilësinë e zyrtarëve policorë, në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve tjerë, të cilët kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme.

Me këto veprime, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, të KPRK-së.

Të pandehurit D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S, F.S., Sh.S., E.K., F.S., V.S., dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, pasi në bashkëpunim mes vete dhe zyrtarët e dyshuar policorë, në mënyrë të vazhdueshme kanë shmangur kontrollin doganor dhe përmes rrugëve ilegale kanë bërë kontrabandimin me mallra.

Ndërsa, të pandehurit Y.F., RR.G., N.Ç. dhe L.G., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë bërë organizimin e lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj, ku me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të KPRK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Ramiz Azizi, i cili ka dhënë urdhër për hetimin dhe bastisjen në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, pas mbajtjes së seancës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

14:52

Seanca ndaj të arrestuarve në Karaçevë pritet të vazhdojë edhe disa orë

Kanë kaluar më shumë se dy orë e gjysmë, që kur ka filluar seanca gjyqësore për 30 personat të cilët u arrestuan të premten në Karaçevë, nga një aksion i Policisë së Kosovës.

Pritet që seanca që po mbahet në Gjykatën Themelore të Gjilanit, të zgjasë.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra, ka thënë për KOHËN se për shkak të numrit të madh të të pandehurve, seanca do të vazhdojë edhe për disa orë.

“Është duke vazhduar ende seanca. Ka filluar në orën 12:00, por pritet që të vazhdojë edhe për disa orë spese ka shumë të pandehur”, ka thënë ai për KOHËN.

Kryeprokurori i kësaj gjykate, Jetish Maloku, të shtunën ka thënë se janë arrestuar 35 persona dhe nga ta, 12 ishin policë. Ai ka shtuar se gjatë aksionit janë konfiskuar materiale të dyshimta.

“Prokuroria Themelore në Gjilan pas një hetimi te gjatë gati një vjeçar, me bashkëpunim është realizuar aksion në këtë pjesë të Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë, komuna e Kamemicës si dhe në rajonin e Prishtinës dhe rajone të tjera. Nga ky aksion me urdhër të prokurorisë deri më tani janë arrestuar 35 të dyshuar, prej tyre 12 zyrtarë policor, kontrabandistë e pronarë të kazinove. Gjatë aksionit janë rrënuar të gjitha kazinotë që kanë vepruar në atë pjesë dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme pasi që dyshohet se janë përdorur në veprimtarinë e tyre”, tha ai, raporton KOHA.

Ndërkaq, nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor u bë e njohur se ishin bastisur 12 lokacione në Karaçevë dhe të tjera në Prishtinë. Zyrtarët policorë që u arrestuan ishin tetë shqiptarë dhe tre serbë.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e tjera kanë ekzekutuar urdhërkontrolle në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës, në rajonin e Prishtinës dhe lokacione të tjera, të premten mbrëma, nën dyshimin për ushtrim të aktiviteteve kriminale.

Aktivitetet kriminale përfshnin bixhozin, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave, etj.

Ky aksion, u cilësua si më i madhi i llojit të tij në Kosovë.