Arbëri

UP-ja thotë se konkursi për vitin e ri akademik është në përgatitje, nuk sqaron datë konkrete

Maturantët të cilët e kanë kaluar me sukses Testin e Maturës e që planifikojnë t’ia mësyjnë për studime Universitetit të Prishtinës, shumë shpejt do të njoftohen për detajet e konkursit për pranim.

Kështu kanë bërë të ditur nga Rektorati i këtij universiteti në një përgjigje për KOHËN, duke mos dhënë një datë se kur do të hapet ky konkurs.

Se së shpejti do të ketë konkurs për vitin akademik në UP, por edhe institucionet e tjera të arsimit të lartë, e konfirmoi edhe ministri i Arsimit Ramë Likaj, në interpelancën e së premtes në Kuvend. Ai për vonesën në shpalljen e konkursit i fajësoi universitetet.

Sa i përket formës së zhvillimit të studimeve, Likaj tha se komiteti anti-Covid ka propozuar që të fillohet me mësim në distancë, por që u mbetet universiteteve të vendosin vetë.

Datë se kur do të hapet për studentë, nuk ka as për Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Drejtori i kësaj qendre ka shtuar se ata janë të gatshëm që sapo të ketë një vendim nga Ministria, të bëhet hapja bazuar në udhëzuesit e institucioneve.

Një pjesë e madhe e vitit akademik në Kosovë, shkaku i pandemisë, u zhvillua me ligjërata të mbajtura online, e provimet u mbajtën fizikisht në fakultete.