Arbëri

Hoti: Qeveria në dialog udhëhiqet nga parimet dhe objektivat

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në raportimin e tij në Kuvend për procesin e dialogut, se Qeveria që ai udhëheq në dialogun me Serbinë udhëhiqet nga disa parime dhe objektiva.

Sipas tij, qeveria udhërrëfyes për këtë dialog e ka platformën “që bazohet në Kushtetutën e Kosovës”.

Ka thënë se kjo platformë e cilëson të panegociueshëm integritetin territorial dhe organizimin kushtetues, se sistemi monetar i Kosovës s’mund të preket e se marrëveshja duhet të jetë vetëm në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Sipas tij, objektiv në këtë dialog është njohja e plotë reciproke.

Ai ka shtuar se marrëveshja finale duhet të përmbajë detyrimin e Bashkimit Evropian për të përmbyllur procesin e njohjes së Kosovës nga pesë vendet që nuk e njohin si dhe duhet të ketë shfuqizim të Rezolutës 1244 e anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Hoti ka thënë se në këtë proces duhet të adresohen të gjitha çështjet e hapura.

Ai ka thënë se në rrethanat e reja “jemi protagonistë për të arritur marrëveshje për njohje reciproke”.

Teksa ka refuzuar ta quajë dialog teknik, Hoti ka thënë se në procesin që po zhvillohet po kërkohet normalizim i plotë i raporteve mes Kosovës e Serbisë.

I pari i Qeverisë ka shtuar se ndërkombëtarët i kanë konfirmuar se procesi i dialogut është i kufizuar në kohë, ndërsa e ka vlerësuar momentum të ri ndërkombëtar bashkërendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Bashkimin Evropian për procesin e dialogut.

Sipas tij, kjo ka qenë vështirë e arritshme “pas lëndimit të raporteve viteve të fundit”.

Ai e ka quajtur fitore të madhe për Kosovën, marrëveshjen e Washingtonit. Sipas tij, kjo i hap rrugë investimeve në Kosovë për ta kthyer në qendër të rajonit.

Për procesin e Brukselit, Hoti ka thënë se në takimin e fundit ka shtruar çështjet që lidhen me obligimet financiare, ndërsa “për Asociacionin kemi thënë se ka marrëveshje parime dhe aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese”.